Si reagon Dan Hutra kur i thonë “psikopat”? Vrasësi i grave flet nga burgu 302

Dan Hutra, vrasësi i 3 grave dhe 3 plagosjes së 3 të tjerave, thotë se është i gatshëm të bëjë një test psikologjik për shëndetin e tij mendor

Në një intervistë me telefon nga burgu për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, Dan Hutra thotë se nëse do të ishte “psikopat”, atëherë do të vriste në rrugë njerëz të pafajshëm.

 

Dan Hutra: Si u mor për bazë dëshmia e Alketës pa një dëshmitar, pa dhunën fizike, pa kurrgjë. Ku janë fotot nëse ka patur dhunë fizike. Pse nuk u mor në pyetje me një psikolog? Po ajo është me të meta mendore Alketa.

Spartak Koka: E nxorre me të meta mendore pasi u fejove dhe qëndrove 22 ditë se kjo s’ka kuptim?

Dan Hutra: Nuk njihet njeriu, njeriu është pus i thellë.

Spartak Koka: Ke ekspertizë për këtë që është me të meta mendore siç thua për atë që ku i ka fotot? Ke ekspertizë?

Dan Hutra: Jo, ekspertizë nuk kam. Merre çoje te psikologu, testoje dhe shikoje.

Spartak Koka: Po nuk ke prova që është me të meta mendore se është shumë e rëndë.

Dan Hutra: Një njeri normal duke patur derën hapur dhe duke qenë vetë në shtëpi, del e kapërcen llamarinat, unë nuk mund ta quaj njeri normal atë.

Spartak Koka: Edhe për ty thonë që është psikopat por nuk kemi letra ta provojmë këtë gjë.

Dan Hutra: Bukur. Unë jam i gatshëm që sot të kryej një test psikologjie dhe në rast se unë do isha psikopat atëherë unë do kisha vrarë njerëz rrugës, të pafajshëm, unë do kisha vrarë policinë kur kanë ardhur të më arrestojnë se i kam patur në pëllëmbë të dorës dhe e kam ulur grykën e kallashit dhe kam thënë këta janë të pafajshëm, këta janë duke punuar për shtetin dhe shyqyr që ekziston policia që mbron familjet tona.

***

Zylyftar Bregu, pedagog i Gazetarisë: Në lidhje me një lloj pretendimi të përsëritshëm që Dan Hutra thotë se është i gatshëm të bëjë ADN-në e fëmijës, mua më duket i panevojshëm ky lloj gatishmërie. Sepse nëse ti je njohur 22 ditë më parë dhe doktori shkencërisht të vërteton që shtatzënia ka filluar 45 ditë, për çfarë është e nevojshme ADN-ja? Dhe këtu ne vijmë tek një lloj paqëndrueshmërie e Dan Hutrës, i cili ndahet një herë dhe pastaj takohet prapë me familjarët e Alketës, thotë që jam i gatshëm për ADN-në, çfarë sensi ka kjo? Kjo tregon që ai njeri nuk është i sigurt për veprimet e veta, nuk është i sigurt për ato çka i ka thënë doktoresha, nuk është i sigurt çka i ka thënë vetë Alketa dhe është në kërkim të motiveve për sjelljen e tij.

Elma Miftari, neuropsikologe klinike: Dan Hutra vazhdimisht tenton ta justifikojë veten dhë të sfidojë edhe policinë dhe gjithë publikun e gjerë që më sillni prova në lidhje me dhunën fizike dhe psikologjike, sepse çdo ushtrues dhune e di pak a shumë deri në çfarë pike ka shkuar dhuna kundrejt viktimës dhe në mendjen e tij ai mendon që dhuna që i është ushtruar Alketës nuk mund të dëshmohet. Dhe prandaj insiston vazhdimisht për një raport nga psikologu. /tvklan.al

Back to top button
LAJMET E FUNDIT