Fondacioni Soros: Ne nuk bëjmë komplote, presim takim me Metën

“Fondacioni për një Shoqëri të Hapur” apo siç njihet ndryshe fondacioni “Soros” ka reaguar pas akuzave të hedhura në adresë të themeluesit të tij, miliarderit George Soros nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, duke e akuzuar për ndërhyrje në zhvillimet e brendshme në Shqipëri, kryesisht reformën në drejtësi.

Kujtojmë se në një dalje për mediat pak ditë më parë, presidenti Meta deklaroi se z. George Soros qëndronte pas “një komploti të kurdisur prej kohësh për të ushqyer përplasjen civile më 30 qershor, si dhe për të ndikuar reformën në drejtësi”.

Si përgjigje ndaj interesimit të Zërit të Amerikës mbi këto akuza, shefja e zyrës së komunikimit të fondacionit “Soros” me seli në Nju Jork, Laura Silber, tha se “Fondacioni Shoqëria e Hapur është krenare për rolin që ka luajtur, krahas Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të mbështetur reformën në sistemin gjyqësor në Shqipëri, që është një kërkesë e domosdoshme për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”.

Në deklaratën e zonjës Silber thuhet më tej se “karakterizimi që Presidenti Meta i ka bërë kësaj përpjekjeje kaq publike si një komplot, është i çuditshëm. Ne presim që të takohemi në të ardhmen e afërt me Presidentin Meta, në bazë të ftesës që na ka dërguar”.

Presidenti Ilir Meta ka pasur dhe më parë një qëndrim kritik ndaj marrëdhënies së manjatin të majtë George Soros me kryeministrin Edi Rama. Qëndrimit kritik të zotit Meta iu bashkuan së fundmi në Uashingon edhe disa dhjetra shqiptarë me banim në SHBA. Të dielën (7 korrik) ata protestuan ndaj asaj që e quajtën “ndërhyrje e multimiliaderit George Soros në punët e brendshme të Shqipërisë si dhe kundër kryeministrit Edi Rama”.

“Fondacionet për një Shoqëri të Hapur” është një rrjet ndërkombëtar organizatash jofitimprurëse, të pavarura, jo qeveritare dhe jo politike që mbështesin financiarisht grupe të shoqërisë civile në sektorë të drejtësisë, arsimit, shëndetit publik dhe shtypit të pavarur në mbarë botën. Në Shqipëri “Fondacioni Soros” zhvillon aktivitetin e tij që prej vitit 1994.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT