Inflacioni i qershorit “luftohet” me lek

Sipas INSTAT, rritja e çmimeve pati ritme të ulta edhe në muajin qershor, vetëm me 1.3 %. Rritja kryesore është ajo e çmimeve të ushqimeve, që përbën 70% të inflacionit të qershorit. Ushqimet pasohen nga “qira, ujë dhe lëndë djegëse”” dhe në vijim.
Inflacionin e ulët në nivelin 1.3% për muajin qershor, ekspertët e ekonomisë e lidhin direkt me kërkesën e ulët për konsum dhe dobësim të ekonimisë.
Fatos Çoçoli, që foli për Scan, shprehet: “Kërkesë shumë e ulët. Pra konsumi i ulët që nënkupton se ekonomia nuk merr sinjale. Prodhuesit nuk marrin sinjale për të rritur kapacitete e prodhimit dhe shërbimit. Në këtë kuptim, jemi keq si ekonomi, kjo edhe pse banka jonë e mban në nivel rekord koston e parasë, 1 përqind vetëm e vetëm që të nxisë kreditimin, konsumin. Te ne konsumi nuk nxitet për arsyen që e dijmë të gjithë, se kemi një klimë politike shumë problematike dhe e dyta ne mbajmë euron nëpër xhepa”.
Çoçoli thekson se është e nevojshme që qeveria të ndërhyjë për të rritur qarkullimin e lekut, pasi sasitë e mëdha të përdorimit euros kanë ndikim domethënës në këto shifra.
Ai thotë: “Ministria e Financave duhet të nxjerrë një rregullore ku të ndalohet përdorimi i euros dhe të nxitet përdorimi i monedhës kombëtare. Sepse duke nxitur përdorimin e monedhës kombëtare ne arrijmë të ulim përqindjen e interesit për kreditë dhe politika e Bankës qendrore përcillet më mirë në kanalet e ndryshme të prodhimit”.