“Nuk jam arrestuar, kam qenë në Qipro”, Fredi Bejleri mohon të ketë lidhje me masakrën e Peshkëpisë

Fredi Bejleri, kandidat i opozitës për Bashkinë e Himarës dhe përfaqësues i minoritetit në këtë zonë, mohoi të ketë qenë pjesë e organizatës “MAVI” që akuzohet se ka marrë pjesë në masakrën e Peshkëpisë, ku u vranë dy ushtarakë shqiptarë dhe u plagosën dy të tjerë.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Bejleri u pyet për masakrën e Peshkëpisë në vitin 1994, por tha se nuk është arrestuar asnjëherë nga shteti grek për këtë çështje, ndryshe nga sa pretendohet.  Ai tha se ka biletat e avionit që provojnë, sipas tij, se ka qenë në Qipro atë periudhë.

Ylli Rakipi: Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në vitin 1994 në Peshkëpi, ku u vranë dy ushtarakë shqiptarë dhe u plagosën dy të tjerë nga një repart i organizatës terroriste MAVI. A keni qenë ju pjesë e organizatës MAVI?

Fredi Bejleri: Dua t’ju falenderoj për pyetjen. Erdha sot për të folur për kandidimin. Është histori e konsumuar. Sa herë ka zgjedhje, Partia Socialiste mundohet ta sjellë para opinionit publik. Është çështje e gjykuar tre herë në Shqipëri.

Ylli Rakipi: Nuk është vetëm Partia Socialiste. Edhe doktori e përmendte emrin tuaj në atë kohë, si pjesë e këtij grupi.

Fredi Bejleri: Asnjëherë. Në vitin 1994 nuk kam qenë as në Greqi dhe as në Shqipëri, por kam qenë në Qipro. Herën e fundit apeli i SPAK e mbylli me vendim të formës së prerë.

Ylli Rakipi: Regjia më ndihmon me një foto të publikuar në gazetën greke Stohos. A jeni ju një nga personat aty? Jeni arrestuar nga shteti grek për këtë ngjarje?

Fredi Bejleri: Nuk jam arrestuar për këtë ngjarje. Nuk jam hetuar asnjëherë për çështjen e  Peshkëpisë. Janë biletat e avionit. Kam qenë në Qipro për një kurs. Nuk jam hetuar dhe gjykuar në shtetin grek. Jam ndaluar në Greqi si person që kisha dijeni për armëmbajtje pa leje. Asnjëherë në shtetin grek nuk jam akuzuar për çështjen e Peshkëpisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT