Investigimi i ri: Njehsimi i diplomës së Këlliçit, u bë duke shkelur ligjin!

Gazeta shqiptarja.com, në një tjetër investigim, në lidhje me diplomën e Belind Këlliçit, ka publikuar dokumentin e komisionit të njehsimit të diplomave në Ministrinë e Arsimit, sipas të cilit, i është njohur diploma Belind Këlliçit, pa mbaruar ciklin 5 vjeçar, e rrjedhimisht pajisjen me diplomë të shkollës së mesme.
Gazeta thekson se Instituti “Harry Fultz” konfirmoi se Këlliçi ka përfunduar vetëm 4 vite studime nga cikli 5 vjeçar i Degës Biznes, duke vërtetuar faktin se ai nuk e ka përfunduar shkollën e mesme (nivelin 4 të kualifikimit) dhe nuk është diplomuar për programin e studimit përkatës. Pra, nuk disponon një diplomë që vërteton përfundimin e shkollës së mesme.
Ndërkaq, po sot, Shqiptarja.com po publikon proces verbalin e Komisionit të Njohjes së Diplomave të Ministrisë së Arsimit, që mban datën 18 nëntor 2010, ku 5 anëtarët e komisionit kanë bërë njohjen e diplomës për Këlliçin. Në këtë proces verbal gjendet edhe Deklarata e Aplikantit, Belind Këlliçi, i cili ndër të tjera deklaron se “Informacioni që kam dhënë në këtë formular ose në ndonjë material bashkëngjitur është i plotë, korrekt dhe aktual”.
Këlliçi ka nënshkruar me dorën e tij këtë deklaratë, duke pranuar se informacioni është i vërtetë dhe i saktë.
Gazeta, thekson më tej se ka qenë Këlliçi, që nuk ka treguar të vërtetën, si universitetit “Coppin University” në Maryland të SHBA, si Komisionin e Njësimit të diplomës.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit, siç tregohet nga shkresa e kthimit të përgjigjes nëse Këlliçi e kishte kryer Maturën Shtetërore të vitit 2006 (të cilën e botuam dje dhe përgjigja ishte negative), ka qenë në dijeni të faktit se ai nuk e kishte përfunduar shkollën e mesme.
Sipas shqiptarja.com, Belind Këlliçi ka shkelur ligjin dhe etikën. Madje gazeta shkruan se me zbulimin e këtyre dokumenteve, vihet në dyshim edhe shkollimi i kandidatit të Bashkimit për Fitore.
Shqiptarja.com, shkruan se në regjistrimin në SHBA, Belindi është ndihmuar nga vëllai i tij, i cili aktualisht është edhe Anëtar Bordi i Institutit “Harry Fultz”.