Mekaniku në karrocë përshtat makinat për personat me aftësi të kufizuara

Mekaniku Flamur Bala i cili është në karrige me rrota tregoi në një intervistë për “Good morning Albanians” në Euronews Albania se përshtat makinat për personat me aftësi të kufizuara.
Ai tha se prej 12 vitesh merret me këtë profesion dhe u vjen në ndihmë atyre që kanë aftësi ndryshe.
“Me forcat e mia dhe të familjes, duke punuar me makina, kam arritur të kursej dhe të marr një makinë të përshtatur. Gjërat e tjera i kam bërë vet, rampën për t’u futur brenda dhe komandimin me dorë,” – tregoi Bala.
Personat me aftësi të kufizuara vit pas viti kanë problematikat e tyre në Shqipëri, sidomos sa i përket aksesit në lëvizshmëri. Shumica e rrugëve nuk e kanë infrastrukturën e duhur sidomos në pjesën e trotuareve dhe kjo bën që personat me pamundësi lëvizjeje të kenë vështirësi për të ecur me karrocë në rrugë. Po ashtu edhe hyrja në institucione të caktuara është e vështirë sepse nuk zbatohen kushtet teknike.