Kundër të oligarkëve dhe të korruptuarve, Arlind Qorri: Shqipërisë i duhet një model i ri, ndalojmë masakrën urbane në Tiranë!

Arlind Qorri i lëvizjes Bashkë është në garë për kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Ai thotë se është i vetmi nga kandidatët që ka një program të plotë e të detajuar prej 30 faqesh për kryeqytetin.

Qorri thotë se armiku i ekonomisë shqiptare, është keqqeverisja, korrupsioni dhe ata të cilët i quan oligarkë të lidhur fort me politikanët.

Për Tiranën, Qorri thotë se duhet të ndalohet urgjentisht modeli i “masakrës urbane”, me ndërtimin e kullave që çdo ditë zhdukin një hapësirë të gjelbër.

Pjesë nga fjala e Arlind Qorrit në emisionin “Opinion”:

Ne nuk kemi fonde për fushatë, pasi sipas ligjit një parti që nuk ka garuar më parë, nuk mund të përfitojë fonde. Jemi të vetmit që kemi një program të plotë, me 30 faqe për Tiranën. Mund të gjendet në faqen e Lëvizjes Bashkë.

Fushata jonë është modeste, me 40 lekë lëvizim me autobus, unë personalisht eci me këmbë rreth tre orë në ditë dhe takoj qindra qytetarë.

Idetë tona i gjen të materializuara në Europën perëndimore. Idetë tona tingëllojnë ekstreme në veshët e atyre që na kanë vjedhur dhe na vjedhin.

Elita politike është e korruptuar këtu dhe i ka bërë shqiptarët të mendojnë në këtë mënyrë. Fakti që situata po bëhet keq e më keq, së shpejti po i vjen fundi. Ne do ta ndryshojmë mendësinë e shqiptarëve.

Çdo ditë te parku ngrihet nga një kullë, ajo që do të bëjmë ne është do ndalojmë këtë masakrim urban. Te kullat thjesht pastrohen paratë e pista. Ky model zhvillimi është i dështuar. Ky është një plan afatgjatë që përfshin edhe pushtetin qendror për disa vite. Shqipërisë i duhet një model i ri.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT