Emmanuel Macron dëshiron rol më të madh në bisedimet Kosovë – Serbi

Kosova do të jetë njëra ndër temat kryesore të bisedimeve të presidentit francez, Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij në Beograd.|
Sipas mediumit francez “Frans 24”, Presidenti Macron dëshiron të ndihmojë nagociatat për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, sidomos pas dështimit të Samitit të Parisit, që ishte paralajmëruar për datën 1 korrik.
Loran Rui, një gazetar francez, ka thënë se kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron kanë vendosur të përfshihen në negociatat Kosovë-Serbi.
Sipas tij, Franca asnjëherë nuk ka pushuar të jetë e interesuar për Ballkanin dhe Serbinë.
“Vizita e Macron në Serbi, e vërteton se interesi është rritur edhe më shumë. Edhe mua më duket se Franca shihet si një vend qendror në rajon dhe është e interesuar që Ballkani të bashkohet me BE-në, pavarësisht se Macron tha se problemet duhet të zgjidhen në Bruksel dhe se kjo e zgjat pritjen e anëtarëve të rinj”, ka thënë ai.
Rui ka theksuar se politika e Francës, e cila e mbështet integrimin e Ballkanit në BE nuk ka ndryshuar. Sipas tij, Macron dëshironte ta vizitonte Serbinë në dhjetor të vitit të kaluar, por u pengua nga protestat në Francë.
Ditë më parë, mediat në Serbi shkruan se Franca e ka ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës dhe se tani po ia mban anën Serbisë, por një gjë e tillë u mohua nga Qeveria e Kosovës.