Pulia ndalon peshkimin e iriqëve të detit, por do vijojë importin nga Shqipëria

Mishi, ndonëse i pakët, i iriqit të detit në Shqipëri nuk pëdoret në gatim, por në Itali përbën një delikatesë dhe e gjen vendin në shumë receta gatimi.
Kërkesa e lartë në treg, ka shkaktuar zvogëlimin drastik të zonave ku rriten iriqët e detit, çka ka çuar rajonin e Pulias të marrë vendimin drastik për një moratorium tre-vjeçar për ndalimin e gjuetisë së tij. Moratoriumi hyn në fuqi nga dita e sotme.
Megjithatë kjo nuk do të thotë se iriqi i detit do të mungojë në tavolinat e italianëve, pasi vendi fqinj do të vijojë të importojë sasi të mëdha nga shtete si Spanja, Greqia, Portugalia, Kroacia dhe Shqipëria.
Në Shqipëri, ndonëse duket se nuk ka një studim lidhur me popullatën e iriqit të detit, besohet se kjo specie ka pësuar reduktim të madh si për shkak të gjuetisë për tregti, por edhe nga shkatërrimi i habitatit shkëmbor duke e kthyer në plazhe artificiale ranore.
Dateri, ose midhja e shkëmbinjve, është gjithashtu një tjetër specie e rrezikuar në vendin tonë. Ajo rritet kryesisht në jug të vendit, dhe shpesh është në shënjestër të gjuetarëve ilegalë, ndonëse është e ndaluar me ligj për t’u gjuajtur.
Dëmtime të mëdha nga gjuetia ilegale në thellësitë e plazheve të jugut kanë pësuar edhe popullata e madhe e koraleve. Kjo për shkak të çmimit të lartë të shitjes në tregtinë ilegale.