“Spanja mund ta kishte njohur pavarësinë e Kosovës në dy raste të ndryshme, ndryshimi i pozicionit varet nga marrëveshja finale me Serbinë”

Spanja si njëra nga pesë shtetet mosnjohëse brenda Bashkimit Evropian, sipas ligjëruesit në departamentin e Politikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin “Autonoma de Madrid”, Ignacio Molina, në dy raste kishte “mundësinë e artë” ta njihte pavarësinë e Kosovës.
Madridi zyrtar, sipas hulumtuesit të lartë në Institutin “Elcano Royal”, mund ta pranonte Kosovën si shtet menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, së bashku me shumicën dërmuese të shteteve anëtare të BE-së.
Por, përveç në vitin 2008, sipas Molines, qeveria spanjolle gjatë vitit 2010 mund të ndryshonte qëndrimin e saj të ngurtë karshi shtetësisë së Kosovës duke u bazuar në verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila vendosi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte e paligjshme.
“Por, ajo zgjodhi të mos e bënte këtë, bazuar në një interpretim të rreptë të asaj që lejohet dhe çfarë nuk lejohet në të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Molina në një intervistë për Albanian Post.
Spanja në këtë fazë, argumenton më tej Molina, ani pse është larg njohjes së pavarësisë së Kosovës, mund të ndryshojë pozicionin e saj rigjid vetëm nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje finale, ku Beogradi do të njihte Kosovën si shtet ose të paktën do të thoshte botës se nuk shqetësohet nëse shtetet e tjera mund ta bëjnë këtë.
Molina beson se Spanja në raport me pavarësinë e Kosovës duhet të adaptojë një qëndrim shumë më pragmatik dhe konstruktiv, njëjti si qasja e Greqisë e cila ani pse është në mesin e shteteve mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, nuk e bllokon rrugën e kësaj të fundit në arenën ndërkombëtare si në rastin e Këshillit të Evropës ku shteti helen abstenoi kur Komiteti Ministror votoi për t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të KiE-së kërkesën për anëtarësim të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.
“Nuk ishte e nevojshme të votohej kundër; do të kishte mjaftuar abstenimi (si Greqia apo Ukraina) për të shënuar një qëndrim politik të mosnjohjes pa qenë aq i ngurtë ose pa e bezdisur Kosovën. Fatkeqësisht, u vendos për një qasje më të rreptë”.
Intervista e plotë e Ignacio Molina për Albanian Post
Albanian Post: Aitor Esteban, anëtar i Kongresit të Deputetëve të Spanjës, në nëntor të vitit 2021 kishte kërkuar nga kryeministri i Spanjës njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës, sipas jush, a duhet të ndryshojë qëndrimi i Spanjës në raport me pavarësinë e Kosovës?
Ignacio Molina: Duke pasur parasysh se kanë kaluar 15 vjet nga shpallja e pavarësisë, mendoj se do të jetë e vështirë për Spanjën që ta njohë Kosovën si shtet në një të ardhme të afërt. Spanja mund ta kishte njohur Kosovën në vitin 2008, së bashku me shumicën dërrmuese të shteteve anëtare të BE-së, me arsyetimin se rasti i Kosovës ishte i jashtëzakonshëm (si rezultat i shpërbërjes së Jugosllavisë, agresionit serb, ndërhyrjes ndërkombëtare për të mbrojtur popullsinë kosovare – me pjesëmarrje të forcave spanjolle, dhe roli i OKB-së me konkluzionet e Planit të Ahtisaarit) dhe kështu nuk do të krijonte një precedent që mund të dëmtonte parimin e integritetit territorial të shteteve. Por, preferoi të mos e bënte këtë, bazuar në një interpretim të rreptë të asaj që lejohet dhe çfarë nuk lejohet në të drejtën ndërkombëtare. Ajo mund të kishte ndryshuar pozicionin e saj edhe në vitin 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se shpallja e njëanshme e pavarësisë në shkurt të vitit 2008 nuk ishte e paligjshme. Por, ajo zgjodhi të mos e bënte këtë, duke ruajtur interpretimin e mëparshëm të rreptë pavarësisht vendimit të Gjykatës.
Unë personalisht besoj se do të kishte qenë shumë më mirë që Spanja të përfitonte nga njëra nga këto dy momente, për të njohur dhe rrjedhimisht për të zgjidhur këtë çështje, e cila, për mendimin tim, e ndërlikon politikën e jashtme të Spanjës, i shkakton asaj shqetësim brenda BE-së dhe, natyrisht, ia kushtëzon asaj marrëdhëniet me të gjithë rajonin e Ballkanit (përveç krijimit të paralelizmave absurde me rastet e Katalonjës apo të Baskëve). Por, nëse kjo nuk ka ndodhur në vitin 2008 apo 2010, nuk parashikoj një ndryshim pa një progres shumë thelbësor pozitiv në dialogun Kosovë-Serbi që mund të justifikojë këtë veprim.
Kërkesa e një deputeti nacionalist Bask për një ndryshim rrënjësor të qëndrimit në mënyrë të menjëhershëm nuk ndihmon shumë. Përkundrazi, një gjë e tillë është kundërproduktive sepse bazohet në supozimin shumë të gabuar se Kosova ka ndonjë lidhje me rajonet spanjolle. E vërteta është se Spanja do ta njohë Kosovën vetëm kur të arrihet përfundimi për të bërë një gjë të tillë brenda njërës prej dy partive kryesore spanjolle (Partisë së Popullit [PP] dhe Partisë Socialiste e Punëtorëve Spanjolle [PSOE]). Në çdo rast, një ndryshim më pak radikal i pozicionit është më i realizueshëm. Pa e njohur zyrtarisht Kosovën si shtet, Spanja mundet (dhe duhet) ta zbusë qëndrimin e saj. Duhet të shkojë drejt qasjes fleksibël të Greqisë dhe normalizimit të pranisë së saj në Kosovë pa një ambasadë zyrtare. Spanja duhet të jetë mike e Kosovës dhe të përpiqet të përdorë përpjekjet e saj diplomatike për të ndihmuar të bindë Serbinë se një zgjidhje përfundimtare është e nevojshme. Asnjëherë nuk duhet të përpiqet të shqetësoj vendin e vogël e të ri me një qëndrim intransigjent, ashtu siç duket ndonjëherë.
Albanian Post: BE-ja ka argumentuar se me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, qasja e pesëshes mosnjohëse të BE-së ndaj statusit të Kosovës mund të ndryshojë. Marrëveshja u arrit. A do ta njohë Spanja pavarësinë e Kosovës në një të ardhme të afërt?
Ignacio Molina: Kam frikë se është i nxituar konkludimi se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës tashmë janë normalizuar. Marrëveshja e fundit është një hap përpara, por diplomacia spanjolle ka mbajtur një pozicion të ngurtë që nga viti 2008, saqë tashmë është e vështirë të ndryshojë qëndrimin e saj rrënjësisht nëse nuk ka një marrëveshje të madhe ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ku Beogradi do ta njihte pavarësinë e ish-provincës së tij ose, të paktën, do të thoshte botës se nuk e shqetëson nëse të tjerët e bëjnë këtë. Në atë rast, diplomacia spanjolle do të konsideronte se pavarësia nuk është më e njëanshme dhe do të ndryshonte qëndrimin e saj.
Albanian Post: Spanja ngre paralele mes Katalonjës dhe Kosovës. Qëndron vërtet justifikimi i Madridit për mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës? Sipas jush, cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet mes Katalonjës dhe Kosovës?
Ignacio Molina: Arsyeja e vërtetë pse Spanja nuk e njohu Kosovën në shkurt të vitit 2008 nuk ishte pavarësia në Kataloni (e cila në atë kohë kishte një qeveri rajonale të moderuar nacionaliste) ose në rajonin Bask (ku terrorizmi i ETA-s ishte mposhtur deri atëherë). Arsyeja ishte më tepër një kombinim i kulturës mbizotëruese midis këshilltarëve dhe studiuesve të së drejtës ndërkombëtare në Spanjë dhe kontekstit zgjedhor: në mars të vitit 2004 zgjedhjet e përgjithshme ishin vendosur në kontekstin e një sulmi brutal terrorist në Madrid të cilin opinioni publik e lidhi me pjesëmarrjen e Spanjës në luftën në Irak. PSOE fitoi ato zgjedhje duke argumentuar se pjesëmarrja e Spanjës kishte qenë e paligjshme. Në Mars 2008 zgjedhjet u mbajtën përsëri dhe qeveria e atëhershme socialiste (me një ministër të jashtëm, posti i parë i të cilit si diplomat kishte qenë në Jugosllavinë e Titos) interpretoi se pavarësia e Kosovës gjithashtu shkelte ligjin ndërkombëtar sepse nuk kishte miratimin e Serbisë ose Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Padyshim që, pavarësia Katalanase (dhe evolucioni i saj radikal që nga viti 2012, ndonjëherë duke përdorur Kosovën si shembull) nuk e ka ndihmuar Spanjën të ndryshojë pozicionin e saj. Por, të paktën zyrtarisht, pozicioni i Spanjës mbetet i ligjshëm dhe jo politik. Kosova dhe Katalonja nuk janë aspak njësoj. Spanja është një shtet shumë i vjetër, me një histori paqësore që ndërtoi një demokraci shumë të përparuar pothuajse gjysmë shekulli më parë dhe e cila respekton vetëqeverisjet bujare të rajoneve të saja. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Jugosllavinë ose Serbinë e Milloseviç’it. Katalonja është një shoqëri e ndarë nga ndjenjat e identitetit, më shumë se gjysma e popullsisë ndihet spanjolle dhe pavarësia nuk ka pasur kurrë mbështetjen e shumicës shoqërore. Përcaktimi i qeverisë rajonale për të shpallur pavarësinë e njëanshme në vitin 2017 duke e shkelur ligjin e një shteti demokratik dhe pa një shumicë shoqërore për një hap kaq transcendental, ishte për të ardhur keq. Por, asnjë prej tyre nuk i ngjan Kosovës, ku më shumë se 90 për qind e popullsisë shprehën në mënyrë sistematike dëshirën e tyre për të lënë Serbinë si pasojë e shkeljeve sistematike të vetëqeverisjes së tyre, shpërbërjen e Jugosllavisë Federale dhe një agresion që përfshinte krime serioze ndërkombëtare. Nuk ka asnjë paralel të mundshëm.
Problemi, për mendimin tim, është se Spanja (e cila është e para e interesuar për të nënvizuar se nuk ka paralele) përfundon duke i krijuar ato me pozicionin e saj të ngurtë.
Albanian Post: Cilat janë arsyet themelore pse Spanja po refuzon ta ndryshojë qëndrimin e saj në lidhje me pavarësinë e Kosovës?
Ignacio Molina: Mendoj se, në këtë pikë, ndoshta arsyeja kryesore është se sa e vështirë do të ishte për diplomacinë spanjolle të pranonte se ka gabuar për kaq shumë kohë, por edhe refuzimi i brendshëm që do të shkaktonte te disa aktorë nacionalistë spanjollë shumë të irrituar nga pavarësia e Katalonisë. Prandaj mendoj se është shumë e vështirë për Spanjën që ta njohë Kosovën si shtet në një afat të shkurtër, por në vend të kësaj duhet të adaptohet një qëndrim shumë më pragmatik dhe konstruktiv. As Spanja dhe as shumica dërrmuese e spanjollëve nuk kanë asgjë kundër Kosovës. Nuk ka kuptim që populli i Kosovës të jetë peng i një qasjeje të tillë legaliste.
Albanian Post: Parlamenti Evropian më 18 prill miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët. Edhe pse liberalizimi vlen për të gjitha vendet e zonës Schengen, poseduesit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë drejt Spanjës meqë ajo nuk po i njeh pasaportat e Kosovës. Si e shihni këtë vendim dhe a duhet të ndryshojë Spanja qëndrimin e saj në raport me pasaportën e Kosovës?
Ignacio Molina Ky është një shembull, për mendimin tim, i pozicionit të panevojshëm të ngurtë të Spanjës. Edhe nëse Kosova nuk njihet (që mund të jetë një pozicion legjitim spanjoll dhe madje edhe konstruktiv për rajonin nëse synimi është të ndihmohet Serbia të ndryshojë pozicionin e saj dhe të pranojë realitetin), ajo që është më pak e shpjegueshme është të këmbëngulësh për të mërzitur Kosovën dhe popullsinë e saj me një interpretim kaq të rreptë të asaj që do të thotë mosnjohje. Ajo që do të ishte më e arsyeshme politikisht për t’u bërë do të ishte mbështetja e liberalizimit të vizave dhe pranimi i pasaportës së Kosovës, e cila ndihmon në lehtësimin e jetës së kosovarëve. Spanja mund ta bëjë këtë duke shtuar një deklaratë se kjo nuk do të thotë një njohje zyrtare, por pa dëme të panevojshme për njerëzit. Spanja nuk e njeh as Tajvanin, por nuk ka një politikë të ndarjes nga pjesa tjetër e vendeve perëndimore për sa i përket simpatisë së saj ndaj Tajvanit dhe popullit të tij.
Albanian Post: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës kaloi fazën e parë pasi Komiteti Ministror e përcolli kërkesën e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Spanja votoi kundër, si duhet lexuar vota e Spanjës në KiE?
Ignacio Molina: Është një shembull tjetër i ngjashëm me atë të vizave. Nuk ishte e nevojshme të votohej kundër; do të kishte mjaftuar abstenimi (si Greqia apo Ukraina) për të shënuar një qëndrim politik të mosnjohjes pa qenë aq i ngurtë ose pa e bezdisur Kosovën. Fatkeqësisht, u vendos për një qasje më të rreptë./ Albanian Post