“Ballkani nuk është gati, kurse ne nuk jemi aspak të gatshëm”

Ish-ministrja franceze për çështjet Evropiane, Nathalie Loiseau, tashmë deputete në Parlamentin Evropian, vlerësoi se Ballkani “nuk është aspak gati” për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sikurse BE-ja që nuk është e gatshme të mirëpresë këto vende, raporton France Press.
“Është e domosdoshme që Evropa të bëjë shumë më tepër ndaj vendeve të Ballkanit. Por kjo nuk do të thotë se vendet e Ballkanit mund të anëtarësohen nesër në BE. Këto vende nuk janë aspak gati për anëtarësim, dhe ne nuk jemi gati t’i presim”, tha Nathalie Loiseau.
Ajo tha se nuk pajtohet me integrimin e menjëhershëm, por për një “partneritet të afërt në nivel ekonomik por edhe politik, në mënyrë që të shmangen tensionet”.
Duke folur për raportet ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit, ish-ministrja franceze tha se nga këndvështrimi diplomatik, “ekzistojnë gjëra që BE-ja nuk i ka bërë mjaftueshëm në Balkan, rajon i cili në aspektin gjeografik, historik dhe kulturor është në zemër të Evropës”.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron është ndër kundërshtarët më të mëdhenj të zgjerimit të Bashkimit Evropian.