Përse vazhdojnë tensionet Kosovë-Serbi?

Mosmarrëveshja për Kosovën është shekullore. Serbia e vlerëson rajonin si zemër të shtetësisë dhe fesë së saj.

Në Kosovë gjenden shumë manastire mesjetare të krishtera ortodokse serbe. Nacionalistët serbë e shohin një betejë të vitit 1389 kundër turqve osmanë atje si një simbol të luftës së tyre kombëtare.

Shumica e shqiptarëve të Kosovës e shohin Kosovën si vendin e tyre dhe e akuzojnë Serbinë për pushtim dhe represion. Shqiptarët e Kosovës filluan një rebelim në vitin 1998 për të çliruar vendin nga sundimi serb.

Përgjigja brutale e Beogradit shkaktoi një ndërhyrje të NATO-s në vitin 1999, e cila e detyroi Serbinë të tërhiqej dhe t’ia dorëzonte kontrollin paqeruajtësve ndërkombëtarë.

A KA PASUR PËRPJEKJE PËR ZGJIDHJE TË MOSMARRËVESHJES?

Ka pasur përpjekje të vazhdueshme ndërkombëtare për të gjetur gjuhën e përbashkët midis dy ish-armiqve të kohës së luftës, por deri më tani nuk ka pasur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse.

Zyrtarët e BE-së kanë ndërmjetësuar negociatat e krijuara për të normalizuar marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Marrëveshje të shumta janë arritur, por ato rrallë janë zbatuar në terren. Disa fusha kanë patur rezultate, si lëvizja e lirë brenda vendit.

KUSH JANË LOJTARËT KRYESORË?

Si Kosova ashtu edhe Serbia udhëhiqen nga drejtues nacionalistë të cilët nuk kanë treguar gatishmëri për kompromis.

Në Kosovë, Albin Kurti, një ish-udhëheqës i protestave studentore dhe i burgosur politik në Serbi, drejton qeverinë dhe është negociatori kryesor në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja. Ai njihet edhe si mbështetës i zjarrtë i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe është kundër çdo kompromisi me Serbinë.

Serbia udhëhiqet nga presidenti populist Aleksandar Vuçiq, i cili ishte ministër i Informacionit gjatë luftës në Kosovë. Ish-ultranacionalisti këmbëngul se çdo zgjidhje duhet të jetë një kompromis në mënyrë që të zgjasë dhe thotë se nuk do të arrijë asnjë marrëveshje nëse vendi nuk fiton diçka.

ÇFARË NDODH MË PAS?

Zyrtarët ndërkombëtarë shpresojnë të përshpejtojnë negociatat dhe të arrijnë një zgjidhje në muajt e ardhshëm.

Të dy vendet duhet të normalizojnë marrëdhëniet nëse duan të përparojnë drejt anëtarësimit në BE. Mos arrtija e një përparimi të madh do të nënkuptonte paqëndrueshmëri të zgjatur, rënie ekonomike dhe potencial të vazhdueshëm për përplasje.

Çdo ndërhyrje ushtarake serbe në Kosovë do të nënkuptonte një përplasje me paqeruajtësit e NATO-s të vendosur atje. /VOA

Back to top button
LAJMET E FUNDIT