Abdixhiku: Kurti në sulm fatkeq ndaj miqve ndërkombëtarë, aventurë e rrezikshme personale e tij

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas situatës së tensionuar gjatë ditëve të fundit në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit, raporton Gazeta Sinjali.

Në një konferencë për media, Abdixhiku ka thënë se Kosova po ballafaqohet me një situatë të pamenduar dhe të paparë për një kohë të gjatë.

Sipas tij, përderisa bandat kriminale po sulmojnë në veri, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ‘po sulmon’ miqtë tanë ndërkombëtarë.

“Kosova në sulm të vazhdueshëm nga banda kriminale të Vuçiqit, e kryeministri i Kosovës në sulm fatkeq ndaj miqve tanë ndërkombëtarë. Kjo nuk i kishte ngjarë ndonjëherë Kosovës më parë. Sa herë kemi qenë të sulmuar nga Serbia, kemi qenë të mbrojtur nga miqtë tanë ndërkombëtarë amerikanë dhe aleatët evropianë, sepse kemi vepruar bashkë me ta, sepse kemi ndarë të njëjtat vlera, të njëjtat interesa e të njëjtin vizion”, tha Abdixhiku në konferencë.

Abdixhiku ka thënë se aleatët ndërkombëtarë duhet të kuptojnë se sulmet e bandave në veri paraqesin rrezik për Kosovën dhe për rajonin.

“Sulmet ndaj Republikës janë sulme ndaj paqes rajonale. Ne ndajmë qëndrimet me miqtë tanë ndërkombëtarë për këtë paqe. Duhet koordinim i ngushtë i aleatëve me qeverinë për të qetësuar situatën”, ka thënë ai.

Kreu i LDK-së ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë në politikat properëndimore dhe “të mos humb nga praktika aventuriere afatshkurtër për pak vota të Kurtit”.

“Ne insistojmë të vazhdojë Kosova në politikat properëndimore dhe asnjëherë të mos humb nga praktika aventuriere afatshkurtër. Kosova nuk duhej të binte në grackën e Serbisë. Përkundër të drejtës së pakontestueshme që të mbahen zgjedhjet, të ruhen kryetarët, duhet pasur edhe parasysh relacionet me miqtë tanë. Nuk na duhet një politikë që ofendon sekretarin amerikan të shtetit me gjuhë jodiplomatike. Kurti ka vendosur të luftojë kundër aleatëve për pak vota më shumë. Ne jemi të gatshëm që bashkë me aleatët të luftojmë për ta ndaluar këtë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se që nga sot do t’i përdorin të gjitha rrugët institucionale, politike dhe demokratike për të ndaluar këtë degradim, që sipas tij, e ka sjell Kurti.

LDK-ja ka ftuar Kurtin në seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në veri dhe relacionet me SHBA-në, ndërsa i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani të flasë dhe të ketë pozicion të qartë për këtë çështje.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT