Konfirmohet turpi i radhës, stadiumit i hiqet emri i Qemal Stafës

Është konfirmuar sot zyrtarisht përpjekja e shëmtuar për t’i hequr emrin stadiumit “Qemal Stafa” të rindërtuar.
Përsëritës dhe këmbëngulës në goditjen e LANÇ dhe dëshmorëve, “kreu i PS” Edi Rama këtë herë po bën dinakun duke e nxjerrë gështenjën me duart e FSHF-së.
Në fakt ai e ka shmangur në vijimësi emrin e Qemal Stafës sa herë ka folur publikisht për fazat e punimeve të stadiumit.
Nuk u është përgjigjur asnjëherë pyetjeve pse e bën këtë.
FSHF ka lajmëruar ditën e sotme, se “ka nxjerrë në shitje emrin e stadiumit” që pritet të jetë i përfunduar në shtator të këtij viti.
Njoftimi i FSHF-së:
Federata Shqiptare Futbollit njofton se po kërkon një sponsor për stadiumin e ri kombëtar. E drejta për të qënë sponsor përfshin blerjen e të drejtave të emrit të stadiumit të ri si dhe perfitime të tjera.
Çdo kompani e interesuar duhet të permbush kriteret bazë që janë:
- Të jetë një kompani me një xhiro prej të paktën 10 milion euro në vit
- Të jetë një kompani që gëzon emër të mirë dhe reputacion të rëndësishëm kombëtar dhe/ose ndërkombetar
- Shitja e të drejtave të emrit do të ketë një afat minimal prej 5 vitesh dhe një çmim dysheme prej 600 mijë euro në vit.
Çdo subjekt që vlerëson se përmbush kriteret e mësipërme dhe shfaq interes për ofertën duhet të paraqes një letër për shfaqje interesi deri më datën 15 Gusht 2019.
Shfaqja e interesit do të konsistojë në një letër ku të parashtrohet deklarimi i kompanisë se është e interesuar dhe të paraqitet dokumentacion bazë për xhiron e kompanisë dhe një CV të saj në lidhje me veprimtarinë në vendin tonë apo jashtë tij.
Procedurat e mëtejshme të zgjedhjes së kompanisë do ju njoftohen vetëm kompanive që do të shprehin interes, në një moment të dytë.