Pushime të paguara verore për deputetët e opozitës së re parlamentare

Pas makinave, kredive për shtëpi dhe gardistësve roje, deputetët e opozitës së re, mund të shijojnë edhe një “dhuratë bonus” veror.
Kreu i grupit parlametar të PS, Taulant Balla, i ka bërë një propozim kryeministrit Rama, që deputetët e opozitës së re, të trajtohen me nga 15 ditë pushim (çift) në Kovalishencën Qeveritare të Durrësit – shkruan portali Pamfleti.
Pas propozimit të Ballës, duke qenë se ligji nuk e lejon trajtimin e deputetëve në rezidenca shteti me shpenzime shteti, kryeministri Rama i ka dhënë porosi Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, nga i cili varet kjo qendër rezidenciale, të përgatisë një relacion financar, për akomodimin e plotë 15 ditor, të çdo deputeti të opozitës së re, për pushime në çift.
Krye-deputeti i “rilindjes”, Taulant Balla, i cili prej 5 muajsh, ka menazhuar dhe deputetët e opozitës së re, ka hartuar një grafik paraprak, me preferencat kohore të çdo deputeti, të cilën do t’ia dorëzojë Drejtorisë Ekonomi-Financës në Ministrinë e Brendshme, për të llogaritur kostot e konsumit dhe bërë rezervimet përkatëse në hotele, sipas 15 ditorëve të kërkuar. Këto shpenzime, që mendohet shkojnë afro 40 milionë lekë, do të trajtohen si “shpenzime emergjence” – shkruan portali.