Si i përgjigjet Meta pyetjes nëse ai dhe Rama vazhdojnë hanë ngjala

Pjesë nga intervista e Metës, mbrëmë në emisionin Tempora në Ora News:
Gazetarja: Mund të shihet në dy këndvështrime ky raport sot. Si ai midis Presidentit dhe Kryeministrit, por jo pak opinioni publik e sheh si raportin midis dy individëve, si një raport kompleks personal Rama-Meta…
Meta: Nuk është e vërtetë. Kjo është prapë një shpikje ‘sorosiane’. Sot në Shqipëri ekziston vetëm një konflikt madhor, që është nëna e gjithë konflikteve…
Gazetarja. Cila?
Meta: Është konflikti i Kryeministrit Edi Rama me pluralizmin politik, me demokracinë dhe me shtetin e së drejtës, që bazohet në ndarjen e pushteteve dhe në respektimin e ‘check and ballance’. Ky është problemi. Pastaj, ai ka konflikt me median, kazanin siç e quan ai, apo me Presidentin kur s’i pëlqen vendimet. Kur i pëlqen thotë, – është më i miri që ka pasur Shqipëria. Ka probleme edhe me gjykatat. Kur gjykata jep një vendim që i intereson atij, thotë, – është shumë e mirë. Kur jep një vendim që s’i intereson atij, – e bën nul. Probleme ka me Parlamentin, me të gjithë. Pra, ky është një njeri që nuk gjen dot rehat me demokracinë.
Gazetarja: Nuk gjen dot rehat, por edhe në deklaratat publike që keni bërë respektivisht në kohë të ndryshme, edhe kur keni qenë në kohën e ‘luftës së ftohtë’ mes jush, edhe kur keni qenë pas tretjes së ngjalave, ideja ka qenë që ju keni një raport personal interesant…
Meta: Po të ishte për raporte personale, duhet të keni parasysh që raportet e mia me Berishën kanë qenë mjaft të vështira, pastaj më ndryshe. Edhe me Ramën dhe me këdo. Unë po të nisem nga pozitat personale, kam frikë se do të kisha marrë vendime të tjera.
Gazetarja: Keni ngrënë një drekë që ju e përmendët para se të bënit komunikimin e parë publik me gazetarët. Çfarë është folur në atë drekë?
Presidenti Meta: Nuk ka ndonjë arsye për të thënë se çfarë është folur nëpër dreka apo darka.
Gazetarja: Po pse e përmendët atëhere?
Meta: …ato janë dreka apo darka të tilla ku shkëmbehen mendimet të lirshme, të natyrshme.
Gazetarja: Përse e përmendët?
Meta: Presidenti apo ndonjë politikan gjithmonë gjykohet nga veprimet e tij publike. Lidhur me vendimin tim të shfuqizimit të dekretit të datës 30 qershor, unë që më 24 maj publikisht, kur kemi një reagim zyrtar të CDU / CSU-së të Bundestagut gjerman për krizën në Shqipëri, dhe që ata kërkuan në të mirën e së ardhmes dhe të çeljes së negociatave të Shqipërisë, pra me gjithë situatën, të vendoset dialog, të shikohet mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve vendore që ato të jenë gjithëpërfshirëse, u ofruan madje që ata të marrin një rol moderues midis palëve, unë e kam shprehur publikisht, zyrtarisht, me deklaratë zyrtare, gatishmërinë time edhe për të rishikuar datën e zgjedhjeve vendore. Dhe vazhdimisht kam marrë iniciativa të tilla, edhe informalisht, sepse…
Gazetarja: Unë vazhdoj të këmbëngul, vazhdoni hani dreka dhe darka?
Presidenti Meta: …sepse unë mendoj se është marrëzi që ne pas tridhjetë vitesh të shkojmë në zgjedhje pa opozitën.
Gazetarja: Do të shkojmë edhe aty. Tani dua të qëndroj pak te ky raporti juaj me kryeministrin Edi Rama, sepse në momentin kur...
Presidenti Meta: Unë raportet me të i kam shumë të mira kur nuk i preken interesat atij. Kaq.
Gazetarja: Keni komunikime me zotin Rama?
Meta: Komunikime në çfarë drejtimi?
Gazetarja: Ju dolët përpara publikut dhe folët për një drekë. Hani më dreka apo darka?
Meta: Unë vazhdoj të pres për takimin institucional.
Gazetarja: Institucionalisht e di që nuk ju përgjigjet
Meta: Ia kam çuar edhe me shkrim.
Gazetarja: Institucionalisht nuk ju përgjigjet. Në nivel personal?
Meta: Unë kam durim. Nuk jam i padurueshëm. Jam i durueshëm.