Escobar: Kemi sfida në raportet dypalëshe me Kurtin

Raportet mes popullit të SHBA-së dhe Kosovës janë të forta dhe “nuk do të ndryshojnë”, por Uashingtoni ka “ disa sfida” në raportet dypalëshe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kështu tha për gazetarët i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkruan REL.
“Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësi juaj më i fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar”, tha Escobar.
Sipas zyrtarit amerikan, pavarësisht sfidave në raportet me kryeministrin Kurti, ai tha se “shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se vështirësitë tona të tanishme që kemi me kryeministrin, nuk do të prekin këtë sentiment”.
Escobar, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë nisur vizitën në Kosovë të hënën dhe kanë zhvilluar takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkaq, të martën ata janë takuar edhe me presidenten, Vjosa Osmani, dhe me krerët e partive opozitare. Më pas ata do të takohen ehde me krerët shtetërorë në Beograd.
Zyrtarët amerikanë dhe evropianë i paraqitën Kurtit tri kërkesat e komunitetit ndërkombëtar: qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri dhe kthimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.