Drafti i Ramës për Asociacionin, kreu i Kuvendit të Kosovës: Rama gaboi, s’u ul të fliste me Kurtin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka cilësuar si të gabuar e veprim të njëanshëm iniciativën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili ditë më parë bëri të ditur se ua ka dorëzuar Gjermanisë dhe Francës një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, draft ky i cili është hartuar në bashkëpunim me disa prej ekspertëve më të mirë amerikan dhe botërorë në këtë fushë.
Konjufca, në një prononcim të shkurtë para gazetarëve pas manifestimit të 145-të të përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, tha se kryeministri Rama nuk do të duhej të ndërmerrte një iniciativë të tillë pa u ulur e diskutuar paraprakisht atë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Kryeministri shqiptar tha se është sekret, por nënkryetari jonë tha se e ka parë. Shumë drafte kanë qarkulluar deri tash, por asnjëri nuk ka pasur efekt në Kosovë. Nuk besoj se nuk mund të paragjykoj për përmbajtjen. Në parim mendoj që është gabim pavarësisht përmbajtjes.
Një defekt është në parim sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ulur me kryeministrin e Kosovës edhe pa i sqaruar të gjitha këto probleme së bashku. Ata takohen shpesh, ky ishte një veprim i anshëm”, ka thënë Konjufca.
Sa i përket paralajmërimeve të ShBA-së dhe BE-së për paralajmërim të sanksioneve nëse Kosova nuk i plotëson kërkesat për tejkalim të situatës në veri të vendit, ai ka thënë se institucionet e vendit janë duke punuar ngushtë me aleatët që kjo situatë të tejkalohet.
“Mendoj që institucionet tona dhe ministritë tona janë duke punuar ngushtë me aleatët edhe partnerët që kjo situatë të tejkalohet”, shtoi ai./