5 ditë kohë për kandidaturat, zbardhen vendimet e Kryesisë së PD: Emrat për kryetar të dorëzohen deri më 20 Qershor

Kryesia e Partisë Demokratike ka dalë me disa vendime, pas më shumë se pesë orë mbledhje, e nisur prej orës 17.00 këtë pasdite. Një nga vendimet, është ai për dorëzimin e emrave për kandidatët për kryetar të kësaj force politike.

Shtatëmbëdhjetë anëtarët e pranishëm, duke përfshirë dhe deputetët, kanë vendosur sonte që Këshilli Kombëtar të mblidhet më datë 20 Qershor. Organi më i lartë vendimmarrës në parti, ka nisur procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD.

Për këtë, ka filluar organizimi i procesit i cili do të drejtohet nga Komisioni Zgjedhor i Partisë.

Ky i fundit, do të pranojë kërkesat e secilit kandidat që shpreh ambicien për të marrë drejtimin e demokratëve, deri më datë 20 Qershor, pesë ditë nga sot. Menjëherë pas depozitimit të emrave dhe shqyrtimit të tyre, do të zhvillohet dhe fushata zgjedhore.

Nga data 24 Qershor deri në 27 korrik, kandidatët që do të marrin dritën jeshile për të vijuar garën, do të kenë mundësi të takojnë anëtarësinë në gjithë Shqipërinë dhe të kërkojnë votat e tyre.

Dy ditë pas mbylljes së fushatës, më 29 Korrik, baza dhe të gjitha institucionet e tjera të Partisë Demokratike do u drejtohen kutive të votimit. Deri tani, i vetmi që ka shprehur publikisht ambicien për të marrë PD, është Lulzim Basha.

Me vendim të 1/5 të anëtarëve të Kryesisë, është vendosur që Kuvendi i jashtëzakonshëm statutor të zhvillohet brenda muajit Shtator 2023.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT