Haradinaj “godet” SHBA-në dhe BE-në: Ta ndalin presionin ndaj Kosovës

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka arsyetuar thirrjen e mbledhjes së Qeverisë duke thënë se nuk guxon të lejoj boshllëk qeverisës.
Ai ka thënë se një vendim të tillë se a guxon të vazhdojë të qeveris mund ta merr vetëm Gjykata Kushtetuese.
“Precedentët e mëhershme kanë ekzistuar te vazhdimi i qeverisjes në çdo vend të botës nuk ka boshllëk, pra nuk mbetet pa qeverisje deri në zgjedhjen e qeverisë së re edhe unë do të vazhdoj kështu”, ka deklaruar Haradinaj, duke thënë se të gjithë ata që mendojnë të kundërtën le t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkaq i pyetur se pse zgjodhi në Hagë të mos përgjigjet në pyetjet e prokurorëve, Haradinaj thotë se ka ka qenë i mbështetur nga një ekspert ligjor i cili ka vlerësuar se ky është pozicioni i duhur.
Lidhur me atë se a ka lidhje ftesa e bërë nga Haga me qëndrimet e tij politike, Haradinaj ka thënë se ka plot dyshime në Kosovë se mund të jetë një konspiracion.
“Por ajo që mund të konfirmoj është që besoj në ato qëndrime politike që i kam shprehur në mënyrën më të sinqertë ndaj partnerëve ndërkombëtarë e që është pra; kufijtë e Kosovës nuk janë të diskutueshëm dhe nuk bën të diskutohet për territorin dhe kufijtë, marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet për njohje reciproke në kufijtë ekzistues sepse për Kosovën është e papërballueshme një krijesë si Dodik Republikë sepse na e bjen Rusinë në Kosovë dhe njëkohësisht tregtia e lirë pra duhet të jetë e arritur me njohje edhe tarifa hiqet me njohje.
Thirrem për të dytën herë për të dëshmuar para një gjykate ndërkombëtare. E kam dhënë dorëheqjen njëherë e kam dhënë dytën herë, ndërsa në anën tjetër është zoti (Aleksandër) Vuçiç që ishte ministër i zotit (Slobodan) Millosheviç dhe dihet që regjimi i Millosheviçit çfarë krime ka kryer në Ballkan jo veç në Kosovë por edhe në vende tjera edhe ai nuk ka shqetësime të asnjë natyre. Pra kjo dëshmon një disbalanc të logjikave të presionit të bashkësisë ndërkombëtare e që duhet të korrigjohen sa më shpejt”, ka deklaruar Haradinaj për “Zërin e Amerikës”, transmeton Reporteri.net.
I pyetur se cilët aleatë po i bëjnë trysni, Haradinaj ka pohuar se “mendoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”.
Lidhur me atë se a ka gjasa gjatë verës të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, Haradinaj ka pohuar se kjo është pamundshme sepse sipas tij vetvetiu kërkohet një afat kohor i paraparë, pra nuk mund të ketë zgjedhje para 45 ditëve.
“Sipas kalkulimeve kohore që i kam menduar unë, zgjedhjet mund të vijnë për rreth 70 ditë, pra ashtu është koha, tridhjetë janë të afatit të caktimit të datës, pastaj 45 janë vet periudha në mes të caktimit deri në zgjedhje, janë zgjedhje të parakohshme pra kjo mund të jetë fundi i shtatorit ose fillimi i tetorit mendohet se mund të jetë koha e mbajtjes së zgjedhjeve, duhet të jetë ditë e diel për shkak se votohet të dielën”, ka deklaruar ai.