Ana e panjohur e Vangjel Zhapës

Fedhon Meksi
Më 30 nëntor 1860, Zhapa hartoi testamentin e tij me 7 faqe. Ja një nga pikat e testamentit: “Pas katër vjetësh eshtrat e mia të nxiren nga varri dhe të rivarrosen, kafka në hyrje të Stabilimentit të Lojrave Olimpike të Athinës, që është në pronësinë time, ndërsa eshtrat e trupit në oborrin e shkollës në Labovën e Madhe, që është vendi i shejtë i takimit me Zotin”. Më 16 qershor 1865, V. Zhapa vdiq pasi lëngoi 2–3 vjet. Pas 22 vjetësh eshtrat e Zhapës u nxorën nga varri në Broshen dhe u ngarkuan në një avullore, e cila la në portin e Pireut eshtrat e kokës. Sipas një kronike të kohës: “Një anije me avull, në të gdhirë të datës 14 gusht 1887 arriti në Sarandë. Arkivoli i veshur me beze të zezë, u vendos në një karrocë të zezë që tërhiqej nga katër kuaj të zinj…. Gjatë rrugës për në Labovë, banorët e fshatrave kishin zbritur dhe qëndronin në dy anët e rrugës për të pritur e nderuar eshtrat e bamirësit të madh. Delvinjotët, muzinjotët, dropullitët, fshatarët e Rrëzës, të Pogonit e të Lunxhit, të veshur me kostume tradicionale, përuleshin me respekt para arkivolit. Njerëzit me lot në sy, në këto çaste trishtimi kujtonin bëmat e tij të mëdha si shkollat e Dhrovjanit, Delvinës, Filatit, Qeparoit, Nivanit, Karjanit, Kakozit, Labovës, Leklit, Adrianopojës etj.”.
- Dëshirat e fundit të V. Zhapës, përveçse ishin të papara deri në atë kohë dhe të papërsëritura nga të tjerë, ato kanë simbolikë të dyfishtë. Eshtrat e kokës u vendosën në kriptën që ndodhet në hyrje të Stabilimentit Zhapa, pronë e tij, dhe përballë Akropolit, për të shprehur nderimin e labovitit për historinë, gjuhën dhe civilizimin e grekëve të vjetër, por edhe si një mesazh për grekët e rinj, të cilët e zbuan kur ishte i varfër ithtarin e Ali Pashës dhe e pritën me nderime vetëm gjatë Lojërave parapërgatitore Olimpike të Athinës, si financues i tyre dhe më i pasuri në Evropën e Lindjes. Varrosja e eshtrave të trupit në oborrin e shkollës së Labovës, ka gjithashtu simbolikë të dyfishtë. Zhapa do të prehej në jetë të jetëve në Labovën e tij, “në vendin e shenjtë të takimit me zotin”. Amaneti i Zhapës për t’u varrosur në oborrin e shkollës dhe jo në kishë, nuk ishte një kërkesë e “çuditshme”, siç pretendojnë disa nga biografët e tij. Sjelljet dhe përqasjet e Zhapës janë lehtësisht të kuptueshme në qoftë se ato analizohen në kontekstin e ideve iluministe, nacionaliste, demokratike, përtej feve dhe evropianiste që lindën gjatë epokës së Ali Pashë Tepelenës. Për më tepër varri i Zhapës në Labovë, do të vërtetonte në jetë të jetëve gjithashtu edhe origjinën e tij prej shqiptari nga Labova.
- Në fillim të shek. XIX në Janinë po përshpejtoheshin përgatitjet për realizimin e projektit të Ali Pashës, që synonte krijimin e shtetit shqiptar të pavarur. Ky shtet do të kishte gjuhën e tij zyrtare, që sigurisht do të ishte gjuha shqipe. Për këtë arsye, Aliu i kushtonte vëmendje të veçantë promovimit të gjuhës shqipe ndër të huajt që vizitonin oborrin e tij dhe nxiste lëvrimin e gjuhës shqipe nga ata dhe nga intelektualët shqiptarë.
Kjo ka qenë atmosfera në të cilën zhvillohej mendimi patriotiko-kulturor në Janinë, në kohën kur po rritej dhe shkollohej V. Zhapa, ai që do të bëhej një nga protagonistët kryesorë për nxitjen e lëvrimit të gjuhës shqipe, botimin e abetareve të para dhe hapjen e shkollave ku do të mësohej gjuha shqipe.
- Zhapa mori pjesë në kryengritjen greke, së bashku me mijëra shqiptarë të tjerë, të bindur se me çlirimin e Greqisë do të përshpejtohej edhe çlirimi i Shqipërisë. Pas luftës i dhanë vetëm medaljen e argjendtë të luftimeve në vijën e parë të frontit dhe disa toka të lëna djerr. Në këto kushte, V. Zhapa braktisi Greqinë e ngushtë, tërë male të thata dhe mosmirënjohëse, për fushat pa fund dhe pjellore të Rumanisë, ku e priste edhe një koloni e madhe shqiptarësh.
- Zhapa u vendos në Rumani në vitin 1833 dhe regjistrohet në zyrën e gjendjes civile të Broshenit me nënshtetësi otomane dhe me kombësi shqiptare.
Vite më vonë, kur Zhapa rreshtohej ndër më të pasurit e Evropës Lindore, ishte ndezur një luftë e egër në mes Greqisë dhe Rumanisë, lidhur me origjinën e tij. Me këtë rast labovitit të urtë iu desh edhe njëherë të dëshmonte për origjinën e tij shqiptare. Në parathënien e librit Trentori, ka shkruar tekstualisht: “Ne, zotërinj, jemi shqiptarë dhe Atdheu ynë është një vend që ka fituar me luftë prej kohësh disa privilegje legale nga Porta e Lartë otomane”. (Baj)
Nga mesi i viteve ’30 plotësoi njohuritë agronomike, duke kryer studimet në Universitetin e Parisit. Pasi u kthye në Rumani zbatoi me sukses metodat e reja për bujqësi intensive, që rritën dukshëm rendimentet bujqësore në pronat e tij dhe si rrjedhojë edhe pasurinë e tij. Veçse ai do të shquhej nga të tjerët edhe për kulturën, klasën dhe sjelljen elegante, mënyrën evropiane të jetës që bënte dhe shoqërinë e tij që përfshinte edhe princër e mbretër. Në vitin 1847 botoi në Bukuresht librin Trentori, nëpërmjet të cilit u jep pronarëve të tokave udhëzime të dobishme për drejtimin bashkëkohor të fermave bujqësore. Si Trentor, autori emërton ata rumunë që nuk e pëlqejnë punën. Në ato kohë V. Zhapa ishte ithtar i filozofit utopist francez Henri Saint-Simon, që e ndante shoqërinë në klasa prodhuese (fabrikantët, bankierët, punëtorët, bujqit) dhe jo prodhuese ose trentorë (pasanikët, kurtizanet, oborrtarët etj.). Ndërsa Zhapa përsëriste: “Unë jam me bletët, jo me trentorët”.
Me shkrimet, këshillat dhe idetë e tij bashkëkohore, ai ka ndihmuar për hartimin dhe zbatimin e reformës agrare në Rumani. Veçse ai shpesh del përtej bujqësisë. Në shkrimet e tij spikatin analizat për disa situata delikate, që i referoheshin historisë dhe psikologjisë së popullit rumun.
Ky njeri energjik, i kulturuar dhe me njohuri të thella në bujqësi dhe në fushën e ekonomisë, u emërua “Këshilltar në oborrin e mbretit të Rumanisë”.
- Në vitin 1856 Zhapa njoftoi qeverinë greke se ishte i gatshëm të mbështeste moralisht dhe materialisht ringjalljen e Lojërave Olimpike të lashtësisë. Me këtë rast ai do të dhuronte dhe dorëzonte personalisht medaljet e arta sportistëve fitues. Në vitin 1859, Zhapa arriti në Athinë, ku qëndroi gjatë gjithë kohës së zhvillimit të garave. Veçse vizita kishte një axhendë që nuk u bë transparente nga të dyja palët. Por gjithçka sqarohet duke lexuar testamentin e tij.
Cilat qenë problemet që nuk mund të zgjidheshin nga larg, nga Rumania, por e donin atë të ishte vetë në Athinë? Duket se V. Zhapa kishte vendosur për t’u varrosur në dy varre, një në Athinë dhe tjetri në Labovë dhe për më tepër do të realizonte projektin për rimëkëmbjen e Labovës.
Hapi i parë, për realizimin e këtij plani do të ishte afrimi me Athinën, mbasi në këtë mënyrë ai do të ishte më afër edhe me Labovën. Për këtë qëllim, ai shfrytëzoi dhe mbështeti me të gjitha mënyrat idenë që qarkullonte prej kohësh në Greqi, për rilindjen e lojërave olimpike.
Hapi i dytë, do të ishte ngritja e një qendre për përgatitjen e garave olimpike dhe hapjen e ekspozitave fotografike që do të pasonin, që ishin në modë në ato kohë. Për këtë qëllim Zhapa ideoi ndërtimin e një kompleksi madhështor ndërtesash dhe kopshtesh në qendër të Athinës, që do të mbante emrin “Zappion” dhe do të ishte edhe selia e “Fondacionit Zhapa”. Nga ky fondacion menjëherë u arkëtua në Bankën Kombëtare Greke shuma prej 250,000 dhrahmi të arta, interesat e së cilës do të përdoreshin për arsimimin e të rinjve labovitë në shkollat bujqësore dhe për botimin e broshurave për bujqësinë.
Ndërkohë, Zhapa kishte formuar edhe dy organizma me funksione vendimmarrëse dhe ekzekutive: Këshilli i trashëgimtarëve dhe Këshilli i mbikëqyrësve për zbatimin e testamentit, të cilat vazhdojnë të funksionojnë edhe sot, në të njëjtat zyra si edhe më parë. Edhe në Labovë u formua “Këshilli i mbikëqyrësve”, që do të kujdesej për shpërndarjen me korrektësi të shumës prej 1,700 florinjve, që do të dërgoheshin në fshat çdo vit.
- Nga Rumania V. Zhapa hartoi programin për Rimëkëmbjen e Labovës, sipas të cilit u ndërtua shkolla medy klasë gjimnaz, ku mësohej edhe gjuha shqipe. Të ngjashme me shkollën e Labovës u mbajtën me fondet e Zhapës edhe të tjera shkolla në Rrethin e Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit etj. Sipas planit u ngrit qendra e shërbimit shëndetësor dhe farmaceutik, që u shërbente falas nxënësve, si edhe familjeve të varfra. U sistemuan ujërat e fshatit dhe u ndërtuan disa çezma. U shtruan me kalldrëm rrugët e brendshme të fshatit dhe rruga që vazhdonte deri afër Gjirokastrës. Të gjitha familjet e varfra të Labovës ndihmoheshin financiarisht çdo vit, ndërsa vajzat e varfra martoheshin me fondet e caktuara nga Zhapa.
- Zhapa vdiq në vitin 1865, por ndihmat për Labovën nuk reshtën, ngaqë ishin të përcaktuara me hollësi dhe saktësi në testamentin e tij. Procedurat për zgjedhjen e Epitropëve (mbikëqyrësve) të Labovës ishin të përcaktuara nga testamenti në këtë mënyrë: “Çdo 2 shkurt të mblidhen në Labovë – vendi i shenjtë i takimit me Zotin – të gjithë ata labovitë që kanë mbushur moshën 25 vjeç dhe nuk janë akuzuar për vepra kriminale, për të zgjedhur mbikqyrësat, të cilët, pasi të jenë zgjedhur me shumicë votash, t’i dorëzojnë komunitetit një dokument të nënshkruar për pasurinë e tyre deri në momentin e zgjedhjes”.
- Zhapën tashmë milioner, e gjejmë në disa dokumente që vërtetojnë se gjatë viteve ‘40, qëndronte shumë pranë N. Veqilharxhit dhe kishte “diskutuar me javë të tëra me të në lidhje me alfabetin e tij të veçantë të gjuhës shqipe”.
Lidhur me botimin e abetareve të Naum Veqilharxhit, Nikolla Naço, ka dëshmuar nëpërmjet gazetës së tij Shqiptari të Bukureshtit se “Vangjel Zhapa daroviti 25,000 florinta për gjuhën shqipe dhe punoi bashkë me të pavdekurin N. Veqilharxhin për të shkruar gjuhën shqipe dhe për të shtypur shumë libra, por fole e shejtanit, Patrikana, e ndoqi dhe e vrau me të pabesë”.
Historiografia shqiptare, mban për këtë rast një qëndrim të kundërt veçse pa paraqitur dokumente.
Historiani i njohur rumun G. Grandea, njofton se “N. Veqilharxhi kishte përgatitur abetaren e parë në gjuhën shqipe, gramatikën dhe libra të tjerë mësimorë. Zhapa dhe Arsaqi e dërguan në Stamboll me letra rekomandimi për shtypjen e librave dhe nxjerrjen e fermanit që të lejohej futja e librave në Shqipëri dhe hapja e shkollave në gjuhën shqipe. Librat u shtypën menjëherë, fermani doli dhe librat u dërguan në Shqipëri”. (S. Dine -1854)
- Në vitin 1859, Zhapa me Bykun, shpallën botimin e gazetës së parë shqiptare, e përjavshme politike dhe shoqërore, që do të quhej Pellazgu dhe do të qëndronte në mbështetje të Rilindjes. Ata e shikonin Pellazgun, si një mundësi më tepër për të pasqyruar dhe orientuar në drejtimin e duhur polemikën e zjarrtë që po zhvillohej në gjirin e inteligjencies shqiptare në fund të viteve 50.
Sipas një modeli për vendet e vogla të Evropës Qendrore të historianit çek bashkëkohës Hroch: “Nacionalizmi shqiptar u zhvillua fillimisht në formën e shqiptarizmit që u përqafua nga një grup intelektualësh. Faza e fundit sipas këtij modeli është periudha kur lëvizja kombëtare, nga një lëvizje kryesisht e shtresës së intelektualëve patriotë, domosdoshmërisht të mbledhur rreth një gazete shoqërore dhe politike, si Pellazgu në rastin shqiptar, shndërrohet në lëvizje masive që do të përfshinte të gjitha shtresat e tjera të popullsisë.”
- Pas vdekjes së Naumit, Zhapa vazhdoi të jetë aktiv në drejtim të problemeve të shumta lidhur me gjuhën shqipe dhe futjen e saj në shkolla. Në frymën e Naumit ai shtroi në mënyrë propagandistike se: “në qoftë se nuk e mësojmë popullin në gjuhën amtare, nuk është e mundur ta edukojmë atë”. Zhapa në rolin e një drejtuesi, do të shtonte orvatjet për të ruajtur vijueshmërinë në rrugëtimin e vështirë që do të ndërmerrte LKSh. Ai do të bënte të gjitha përpjekjet për të ringjallur Naumin në vizionin, idetë dhe veprimtarinë e mësuesit atdhetar A. Byku, veçanërisht për sa i përket lëvrimit të gjuhës shqipe, argumentimit të lashtësisë së historisë së kombit shqiptar dhe njësimit të tij.
Sipas programit të hartuar nga V. Zhapa dhe A. Byku, parashikohej: botimi në shkallë të gjerë i teksteve shkollorë në gjuhën shqipe, hapja e shkollave fillore shqipe në çdo fshat, për vajza dhe djem dhe ngritja e gjimnazeve në Gjirokastër, Berat, Përmet dhe i dy shkollave të mesme për vajza në Labovë dhe Rrëzë.
Në shkolla do të përdorej abetarja Gramë për shqiptarët me alfabetin e veçantë të gjuhës shqipe, e porositur nga V. Zhapa dhe e hartuar nga A. Byku. Ndërkohë V. Zhapa i kishte ofruar Bykut postin e inspektorit të shkollave të tij në Labovë dhe gjetkë.
- Por mrekullia e Zhapës qëndron edhe në faktin se ai, sipas ideve të Naumit për një arsimim masiv nga shtrirja, bëri të mundur që fëmijët e shqiptarëve të mësonin gjuhën amtare nëpër qindra shkolla greke që funksiononin kudo në Shqipërinë e Jugut. Mësimi i shqipes, në mesin e shek. XIX nga nxënësit shqiptarë, kinse për të lehtësuar mësimin e greqishtes, përbënte një sukses të jashtëzakonshëm për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetin kombëtar.
Në një periudhë shumë të vështirë për shqiptarët, kur Perandoria Osmane dhe Mbretëria e Greqisë shtuan përpjekjet për të zhdukur gjuhën dhe kombësinë e popullit shqiptar, ndërkohë që LKSh po vononte që të rilindte, ishte V. Zhapa, që me patriotizmin, energjinë dhe pasurinë e tij, bëri të mundur që fëmijët e shqiptarëve të mësonin gjuhën amtare nëpër shkolla.
Pas vdekjes së V. Zhapës qeveritarët grekë, bashkë me pasurinë e tij pa kufij, lakmonin e lakmojnë edhe vetë Zhapën si personalitet poliedrik, hero i kryengritjes greke dhe pasaniku më i madh në Europën Lindore. Veçse Zhapën e donin grek, me origjinë greke, me prindër grekë, i lindur në një fshat që ndodhej në një krahinë greke. Pra ata donin Labovën dhe Rrëzën e Tepelenës greke edhe pse është një krahinë e vendosur thellë në tokat shqiptare. Sikurse tashmë është e njohur, më vitin 2015, Zhapa u shpall “Nder i Kombit shqiptar”.
- Zhapa ishte një personalitet kompleks, me vizion të jashtëzakonshëm për kohën, i njëkohësishëm në Rumani, Greqi dhe Shqipëri, punëtor, i mençur, trim, bujar e krenar. Në testament e quan vendlindjen, Labovën e Madhe, “vend i shejtë i takimit me Zotin”, duke shprehur kështu një ndjenjë dashurie e krenarie të madhërishme për mëmëdheun e tij.
Krahas parave që dhuronte, me delikatesën që e karakterizonte, ai kishte gjithashtu kapacitetet e duhura të shpërndante paqe, dashuri dhe mirëkuptim midis popujve, duke u integruar plotësisht në historinë e kulturës, të zhvillimit ekonomik dhe të qytetërimit panballkanik në gjysmën e parë të shek. XIX./Gazeta Liberale
