“Këta dy njerëz nuk mund të qëndrojnë bashkë në qeli. As në liri”

Gjykata ka rrëzuar dje kërkesën për ndryshimin e masës për Izet Haxhinë. Trupi gjykues rrëzoi edhe kërkesën për pranimin e afateve të paraburgimit.

Seanca u shoqërua me debate e diskutime. Haxhia u nxorr nga salla nga trupa gjykuese për fyerje.

Avokati i tij Idajet Beqiri kërkoi gjatë seancës gjyqësore lirimin e Izet Haxhisë.

Haxhia ka fituar të drejtën për t’u rigjykuar e për të dëshmuar në lidhje me vrasjen e ish-deputetit, Azem Hajdari, për të cilën është shpallur fajtor dhe është dënuar me 25 vite burg.

Në vijim një deklaratë e avokatit të tij, dhënë dje për Dita:

Nga Idajet Beqiri

Po ju tregoj për atë që ndodhi dje në seancën gjyqësore të radhës ndaj klientit tim, qytetarit Izet Haxhia. Me këtë rast po ju tregoj se kush është më shumë i interesuar që qytetari Izet Haxhia të jetë në burg dhe jo një qytetar i lirë si gjithë të tjerët.

Gjykata turke vendosi ekstradimin e Izet Haxhisë për t’u përballur me drejtësinë në Shqipëri pasi mori në konsideratë dy argumente dhe garanci madhore; në radhë të parë që vetë Izet Haxhia, pas fillimit të jetësimit të procesit të Vettingut në sistemin gjyqësor në Shqipëri, krijoi bindjen se gjërat këtu kanë ndryshuar për mirë dhe se ishte koha e duhur për të denoncuar dhe për t’u përballur me të gjitha të vërtetat e dramave dhe gjëmave që u ka shkaktuar shqiptarëve Sali Berisha, mes të cilave edhe vrasja e Azem Hajdarit.

Dhe në radhë të dytë, Ministria e Drejtësisë në Shqipëri i dha garancitë maksimale me shkrim  autoriteteve gjyqësore turke se do të respektonte të gjitha standardet europiane për një rigjykim në themel, të drejtë, objektiv, ligjor të çështjes për të cilën ishte akuzuar dhe dënuar në mungesë Izet Haxhia.

Duke rivendosur në afat apelin e bërë nga Izet Haxhia gjykata e shkallës së parë Tiranë, si dhe duke prishur vendimin e Gjykatës që kishte dënuar Izet Haxhinë me 25 vjet burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit dhe duke e kthyer çështjen për rigjykim nga e para, u duk se sistemi gjyqësor në rastin konkret po funksiononte.

Në fillim të hapjes së procesit gjyqësor avokatët e Izet Haxhisë i kërkuan Gjykatës së Shkallës së parë revokimin dhe zëvendësimin e masës së arrestit, duke dhënë argumentet e plota ligjore, provat dhe faktet përse kjo gjykatë duhet të zëvendësonte menjëherë masën e arrestit ndaj Izet Haxhisë.

Për fatin e keq kjo Gjykatë në gjykimin e djeshëm të kësaj çështjeje, në vend që të zbatonte drejt ligjin si dhe të respektonte angazhimin e ministrisë së drejtësisë shqiptare, para autoriteteve të shtetit turk, nënshkruese dhe zbatuese të Konventës Ndërkombëtare Për Ekstradimin, bëri të kundërtën.

Pse?

Kjo gjykatë nuk doli dot nga vetja, domethënë nga të qenurit një gjykatë ende e pa reformuar,  një gjykatë “kobure” në duart e Sali Berishës, ideatorit, formuesit dhe mbajtësit gjallë të një gjykate të kapur, të motivuar vetëm partiakisht, politikisht dhe klanianisht.

Kuptohet përse? Izet nuk mund të qëndrojë në qeli tok me Saliun, po aq sa nuk mund të qëndrojnë së bashku në liri këta dy njerëz. Vetëm reforma në drejtësi mund dhe do ta zgjidhë këtë çështje…

Përmes “argumentesh” që nuk ishin aspak ligjore, përmes një paaftësie të dukshme profesionale, deri te moskuptimi  dhe gabimet trashanike të llogaritjeve të thjeshta matematikore, e lanë përsëri në burg Izet Haxhinë, duke plotësuar kështu interesat meskine, të pandershme, hakmarrëse dhe antidrejtësi të atyre që duhet të jenë pas hekurave të burgut, në vend të Izet Haxhisë, për këtë krim vrasje të një ish deputeti si dhe të shumë e shumë krimeve të tjera të kryera në këto 28 vjet në këtë vend.

Gjykata e Shkallës së parë, për turpin e saj, i llogariti Izet Haxhisë vetëm 4 vjet burg të kryera në Turqi për efekt të ekstradimit, domethënë vetëm periudhën e viteve 2006-2010, duke mos i llogaritur gjithë vitet e tjera, deri më sot, që ai ende është në burg!

Kjo Gjykatë, nga paaftësia, apo nga ligësia e ndikimit të “Ustait” që ende i komandon, nuk mori në konsideratë ligjin penal turk i cili një ditë paraburgim e llogaritë me tre ditë burgim, çka do të thotë se për periudhën 2006-2010 Izet Haxhisë i llogariten plot 12 vjet burg të vuajtur. Kjo gjykatë nuk i llogariti  Izet Haxhisë paraburgimin nga viti 2014 dhe deri më sot kur Turqia vendosi të bëjë ekstradimin e tij dhe që Shqipëria e mori dhe e rivendosi  përsëri në paraburgim atë. Në një situatë eventuale plotësisht të pranueshme të kërkimit të një gjykimi të shkurtuar, Izet Haxhia i ka vuajtur 17 vjet burg. Marrë në konsideratë faktin që ai nga gjykata e shkallës së parë të mëparshme është dënuar me 25 vjet burg, ulja e 1/3 së dënimit e çonë atë në një masë dënimi pikërisht kaq sa ka vuajtur deri në qershor të këtij viti. Kjo do të thotë që Izet Haxhia pas muajit qershor 2019 mbahet në paraburgim për llogari të armiqve të drejtësisë shqiptare. Ai mbahet peng në paraburgim sepse dalja i tij i lirë e tmerron Sali Berishën, akuzatorin e vetëm kundër Izet Haxhisë, të interesuarin interesuarin e vetëm për t’u mbajtur ende pas hekurave të burgut Izet Haxhia.

Nuk është e vështirë për të kuptuar prapaskenat që luhen me emrin e Izetit dhe të gjyqit. Politika shqiptare është peng i këtij emri që di shumë dhe që do të dëshmojë krime të tmerrshme….

Rasti Izet Haxhia përbën sot një “gines” botëror kur një i paraburgosur mbahet i tillë, ende pa u dhënë vendimi gjyqësor i shkallës së parë, për 13 vjet i arrestuar!

Dje në sallën e gjyqit Izet Haxhia, bazuar në informacionet që ka, denoncoi hapur treshen e gjyqtarëve si të caktuar enkas nga ish kryetarja e Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, mike e ngushtë e Argita Berishës, të cilën me të drejtë e fshiu nga sistemi gjyqësor procesi i vettingut.

Gjykata e Apelit Tiranë do të jetë tashmë “stacioni” i radhës ku do të përplaset Izet Haxhia kundër atyre që e duan atë domosdoshmërisht pas hekurave të burgut, ndryshe do t’i zënë vendin atij.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT