Vendimi i GJKKO-së për Fredi Belerin, Berisha: Po mbahet si i burgosur politik, zbatoi urdhërin e…

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me vendimin e marrë nga Gjykata ditën e sotme për të lënë në burg Fredi Belerin, i cili përmes avokatëve të tij kishte kërkuar të lirohej për t’u betuar si kryetari i Bashkisë së Himarës.
Për Berishën dhe Partinë Demokratike ky vendim i marrë nga GJKKO ka qenë me urdhër të kryeministrit Edi Rama, duke i mohuar fituesit të bëjë betimin dhe qyetarëve të Himarës frutin e votës së lirë dhe përfaqësimit.
Përmes një postimi në “Facebook”, ish-kryeministri thekson se për Partinë Demokratike Fredi Beleri mbahet si i burgosur politik, si kandidat i opozitës dhe si kryetar i zgjedhur i qytetarëve të Himarës, dhe jo si abuzues votash.
“Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Belerit, i është refuzuar kërkeksa për leje të posaçme për të marrë pjesë në konstituimin e këshillit bashkiak të Himarës dhe betimit si kryebashkiak.
GjKKO ka zbatuar kështu urdhrin partiak, dhe jo normat e shtetit të së drejtës, duke ia mohuar kandidatit fitues të bëjë betimin dhe qyetarëve të Himarës frutin e votës së lirë dhe përfaqësimit.
Partia Demokratike e konsideron vendimin si politik dhe dënon me forcë cdo hap që i bën gjykatat e vendit shkelëse të parimit të të ndarjes së pushteteve. Per Partine Demokratike Fredi Beleri mbahet në arrest si i burgosur politik, si kandidat i opozitës dhe si kryetar i zgjedhur i qytetarëve të Himarës, dhe jo si abuzues votash. Po të ishte për manipulime, vjedhje dhe abuzime në qelitë e paraburgimit do të ishin 53 kandidatët e PS me në krye Edi Ramën. Fredi Beleri nuk i prishi Edi Ramës ëndrrën totalitare të hartës politike rozë, por i zuri rrugën e planeve të tij për investime strategjike me ministrat e famijes dhe familjarët e ministrave ne bregdetin e bashkise se Himares.
Për këtë ai e shënjestroi që nga fillimi dhe urdhëroi arrestimin e tij. Për këtë atij i refuzohet lirimi me kusht ndërsa ish-ministrave të tij u lejohet. Për këtë Edi Rama luan nacionalistin në Himarë dhe internacionalistin në Beograd e Prishtinë.
Nuk është punë kombesh, sepse kur ka interes, Edi Rama bëhet tregtar flamujsh. Shihni si po shet interesat Kosovës duke punuar çdo ditë në shqip per ndarjen e saj me padronin e vet Vuçiç”, shkruan Berisha.
Më herët, erdhi dhe reagimi i Ministrisë së Jashtme greke të cilët thanë se ky refuzim i gjykatës shqiptare dëshmon se qëllimi i autoriteteve është ta heqin Belerin nga posti i kryetarit të Bashkisë së Himarës.
Kujtojmë se Beleri qëndron pas hekurave me akuzën e korrupsionit në zgjedhje, pasi u kap në flagrancë duke paguar 400 mijë lekë të vjetra për të blerë 8 vota, një ditë para zgjedhjeve vendore në Shqipëri. Po ashtu vlen të theksohet se ndonëse Fredi Beleri është i deklaruar si anëtar i minoritetit grek, Himara dhe banorët e saj nuk njihen si të tillë nga Shqipëria.