Mali i Dajtit, një destinacion mahnitës për turistët nga e gjithë bota

Mali i Dajtit, vetëm 22.4 kilometra larg qendrës së kryeqytetit, 1 613 metra mbi nivelin e detit është një tjetër atraksion i mrekullueshëm për turistët e huaj që vendosin të vizitojnë vendin tonë.
Me rreth 26 lloje drurësh dhe shkurresh pyjore, të cilat mbulojnë rreth 80 % të territorit, bimësh e barishtore, kafshët dhe shpendët e egra, dy majat dominuese, “ballkonet”, që qëndrojnë mbi shkëmbinjtë e pjerrët, dëborën e dimrit dhe lartësinë relativisht të madhe nga niveli i detit, duke filluar nga 300 metra deri në lartësinë 1 613 metrash të majës më të lartë, në të 4 zonat fitoklimatike e me një kundër drejtim që siguron pamjaftueshmërinë e ditëve me diell, e për konsekuencë me një klimë më të freskët e me ajër më të pastër se pllaja ku shtrihet Tirana, kjo zonë është kthyer në një atraksion për turistët e huaj, që pëlqejnë natyrën dhe aventurën.
Gjatë një vëzhgimi të realizuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare në shtigjet e gjelbëruara të malit “krenar” që ngjan si një rojtar i kryeqytetit, pozicionuar nga ana lindore e tij, turistë nga Finlanda, Norvegjia, Belgjika, por dhe nga SHBA dhe vende të tjera të Europës dhe botës, u shprehën të mahnitur nga bukuria dhe madhështia e Malit të Dajtit, si një destinacion i rëndësishëm për turizmin e natyrës dhe atë aventuror.
“Unë jam Toni Nisila nga Finlanda. Unë jam Elena Lothtar nga Finlanda. Kemi ardhur dy ditë më parë në Shqipëri dhe do të qëndrojmë dy javë këtu. Dje e kaluam ditën në Tiranë ku shëtitëm dhe vizituam muzeun Bunk’Art”, thanë për ATSH dy turistët nga Finlanda.
“Bunk’art ishte një vend vërtetë tepër interesant. Pastaj zgjodhëm të vinim për ecje këtu në Malin e Dajtit. Deri këtu jemi ngjitur me teleferik. Por duam të ngjitemi deri në majë të malit, nëse do të na e lejojë terreni. Nuk e kemi provuar ende kuzhinën tradicionale shqiptare, por sigurisht do ta provojmë. Megjithatë kemi provuar shijen e verës dhe birrës vendase që na pëlqyen shumë. Ishin të mira”, u shprehën ata më tej.
Surprizë ishte mënyra se si ishin njohur me vendin tonë. “U bindëm të vinim në Shqipëri nga ato që na kanë rrëfyer miqtë tanë. Po kështu, një ditë dëgjuam një person në një radio finlandeze, i cili tregonte se kishte qenë thuajse në të gjithë vendet e botës dhe Europës dhe tha se Shqipëria është një vend shumë i bukur. Atëherë thashë se duhet të shkojmë patjetër në Shqipëri”, u shprehën dy turistë nga Finlanda.
“Gjatë qëndrimit këtu planifikojmë të vizitojmë edhe zonat bregdetare dhe plazhet. Besoj se fillimisht do të shkojmë në bregdetin e jugut dhe do të kthehemi mbrapsht përgjatë vijës bregdetare. Nuk kemi plane të përcaktuara. Thjesht do të marrim çantat e shpinës dhe do të shkojmë ku të mundemi”, rrëfyen Toni Nisila dhe Elena Lothtar nga Finlanda për ATSH.
“Unë jam doktor Adami. Farrah është vajza ime, së cilës i pëlqen jashtëzakonisht shumë Shqipëria. Njerëzit këtu janë shumë miqësorë e mikpritës. Vendi juaj është i bukur dhe klima e mrekullueshme. Është një atmosferë shumë e mirë. Di shumë gjëra rreth Shqipërisë, pasi unë jetoj në Ballkan për një kohë të gjatë prej 10 vjetësh. Ato që më pëlqejnë më shumë në Shqipëri janë njerëzit, klima, pastërtia. Ushqimi po ashtu është shumë i mirë dhe me çmime shumë të pranueshme. Jemi këtu një grup i madh familjar, që vijmë shpesh në Shqipëri. Unë vetë vij dy a tre herë në vit, e ndonjëherë edhe më shumë”, tha një tjetër turist nga Palestina që së bashku me familjen e tij, të përbërë nga më shumë se dhjetë persona ishin për një vizitë në Malin e Dajtit.
“Unë quhem Xhema. Shqipëria është vend shumë i bukur dhe mendoj që njerëzit janë shumë mikpritës. Është vend vërtetë i bukur. Kemi ndërmend që të qëndrojmë edhe dy javë të tjera këtu. Më falni pasi ndoshta nuk do të mund t’i shqiptoj si duhet, por do të shkojmë në Pogradec, Durrës, Vlorë dhe Sarandë, ku do të bëjmë edhe plazh”, tha turistja palestineze për ATSH.
“Unë jam Xheremi Lin dhe vij nga Shtetet e Bashkuara. Kam ardhur prej tri ditësh në Shqipëri. Deri më tani, kryesisht kemi shëtitur me këmbë nëpër Tiranë për të parë dhe krijuar një ide se si është i organizuar qyteti. Kemi vizituar Muzeun Historik Kombëtar si dhe Galerinë Kombëtare të Arteve”, tha ai.
“Për mua ishte një përvojë tepër interesante pasi nuk jam shumë i familjarizuar me kulturën shqiptare dhe për mua personalisht është shumë e rëndësishme të krijoj një ide rreth saj. Kemi ardhur edhe këtu në Malin e Dajtit pasi është një ambient shumë i gjelbëruar. Është bukur ndërkohë që mund të vish shumë lehtë nga qendra e Tiranës deri këtu”, shton Lin.
“Veçanërisht në verë, këto pemë dhe ky gjelbërim e bëjnë këtë vend të shëndetshëm dhe çlodhës. (Nuk e kemi vizituar ende “Adventure Park” këtu në Dajt-kete shprehje prite Xheni). Ushqimi tradicional shqiptar është shumë i shijshëm. Kemi provuar qoftet dhe byrekun që janë shumë të shijshme që të dyja. Nuk i kam provuar ende pijet dhe rakinë, por me siguri do ta bëj”, rrëfeu Xheremi Lin nga SHBA për ATSH.
Një familje nga Norvegjia u shprehën tejet entuziastë nga mikpritja, por dhe nga bukuritë e vendit tonë. “Ne jemi nga Norvegjia. Do të qëndrojmë 10 ditë këtu në Shqipëri. Shqipëria është një vend shumë i bukur, me njerëz shumë miqësorë, një vend me shumë diell dhe klimë të ngrohtë. Na pëlqeu shumë Mali i Dajtit, ku bën më freskët dhe ofron një pamje të bukur. Është hera e parë që vizitojmë Shqipërinë. Do t’ua rekomandoja pa asnjë mëdyshje miqve dhe të njohurve të mi që të vijnë në Shqipëri. Pas vizitës në Dajt, do të kthehemi në Tiranë për të parë sheshin e qytetit”, u shprehën turistët norvegjezë.
“Nesër do të shkojmë në Himarë. Kemi marrë informacione për plazhet e bukura atje përmes internetit. Ushqimi është shumë i mirë dhe akulloret janë po ashtu shumë të mira. Kam provuar birrën vendase. Kam dëgjuar edhe për rakinë dhe them se do ta provoj”, shtoi ai.
“Ne jemi nga Gjermania. Po vizitojmë Shqipërinë prej gjashtë ditësh. Shqipëria është një vend i përsosur, shumë i bukur, me shumë destinacione për të vizituar, me ushqime të shijshëm dhe njerëz shumë të mirë. Dajti po ashtu është një mal shumë i bukur. Gjatë këtyre ditëve, kemi vizituar Thethin, Valbonën. Fshatin Çerem dhe Shkodrën”, u shprehën turistët gjermanë të cilët preferonin kryesisht turizmin e aventurës.
“Në përgjithësi kemi vizituar qyteza malore. Informacionin për Shqipërinë e kemi marrë nga faqja e internetit “Majat e Ballkanit” kushtuar shtigjeve malore. Është aventura më e bukur që mund të bësh. Gatimet tradicionale shqiptare janë shumë të shijshme, veçanërisht ato më të thjeshtat”, u shprehën.