Opozita kritikon Kurtin: Vuçiçin e takon pa kushte e Ramën e kushtëzon për takim! Kosova nuk është lodër

Opozita akuzon kryeministri Albin Kurti se po dëmton pozicionin e Kosovës përballë aleatëve me veprimet e tij për situatën në veri të Kosovës.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Vlora Çitaku ka thënë se është marrëzi e turp që Kurti ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Si është e mundur që Kryeministri Kurti refuzon takimin me Kryeministrin e Shqipërisë?!! Si është e mundur?!
Kjo është marrëzi. Turp. Vuçiçin e takon pa kushte, e Ramës i vendosë kushte. Kryeministër, Kosova nuk është lodër.
Qeverisja nuk është lojë fëmijësh. Lëri inatet, mllefet e hatërmbetjet personale”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Kryeministri Kurti, ka thënë se nuk do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, në një takim që është jashtë mbledhjes se Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.