Rama: Po, trualli rreth Teatrit do t’i jepet privatit se do bëj të riun pa lekë

Kryeministri Edi Rama ka pranuar sot se zona buzë Pedonales ku ndodhet edhe Teatri Kombëtar kalon nga pronësi publike në private.
Ai thotë se “Teatrit nuk i preket asnjë cm2” dhe kjo sipas tij mjafton që të justifikohet pjesa tjetër.
Megjithëse pranon atë që ka ditë që thuhet, me lojën e zakonshme të fjalëve, KM flet sërish për “shpifje e stërshpifje” pa thënë çfarë konkretisht ishte shpifje.
“Eshtë folur e stërfolur, shpifur e stërshpifur, akuzuar e stërakuzuar, për truallin e teatrit që do “kafshohet” nga privati! Në fakt asnjë CM2 e truallit të teatrit nuk do të preket nga asnjë privat dhe mbi të do të ndërtohet vetëm Teatri i Ri Kombëtar.
Ndërsa po, është e vërtetë që matanë murit rrethues të teatrit ekzistues, ka një truall në pronë të bashkisë që do t’i jepet privatit, NË KËMBIM TË TEATRIT TË RI që privati do të ndërtojë me kapitalin e tij, pa asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit! Dhe trualli në fjalë është ky që do të shikoni në këtë video.
Shikojeni dhe më thoni:
A është ky truall një vlerë arkeologjike, historike, kombëtare apo kulturore, që po e humbet Shqipëria me këtë partneritet Publik-Privat për Teatrin e Ri Kombëtar? Dhe nëse jo, a nuk i’a vlen që në këmbim të këtij trualli, i cili do t’i bashkëngjitet pronave private përreth, Shqipëria të përfitojë një Teatër të Ri Kombëtar të denjë për Shqipërinë që duam?
Shikim të mbarë”, shkruan Rama.