Kur KM “pyetet” për “nënën greke” (dy fjalë për populizmin bajat)

Disa portale greke i kanë bërë jehonë deklaratës së kryeministrit Rama gjatë konferencës së mbajtur ditën e djeshme, ku tha se në gjakun e tij nuk kishte asnjë qelizë greke.
‘Protothema’ shkruan se gjatë konferencës për mediat Rama iu përgjigj një “pyetje” të një gazetari shqiptar në lidhje me një deklaratë të Ministrit të Jashtëm Grek, Nikos Dendia se ai vjen nga i njëjti fshat si nëna e tij, Aneta Koleka, nga vargmalet e Himarës.
“E para e punës, kam në dejet e mia një miks dhe nuk do të isha aspak i mërzitur nëse do të kisha edhe një pjesë të gjakut grek, por nuk kam asnjë qelizë, se kam pasur këtë, ndërkohë që kam ca rrjedha të tjera, ashtu sikur kam edhe rrjedha të brendshme nga Shkodra, në Mirditë në Berat, Vuno në Vlorë” – tha ai.
KM i ka me qejf deklaratat për origjinën e tij, sidomos nëse për to flitet në mediat e huaja.
Pak kohë më parë i deklaroi një gazetareje italiane se gjyshja e tij ishte me origjinë veneciale.
Përpjekja e politikanëve për të folur mbi origjinën e tyre në mënyra të ndryshme duke e ndryshuar apo shtuar në varësi të rrethanave, konsiderohet populizëm i tejkaluar dhe bajat.
Politikanët i fusin vetë në diskursin politik këto tema, duke i porositur si “pyetje nga gazetarë”, sa herë duan të tërheqin vëmendjen publike nga skandale korruptive dhe keqqeverisja.
Kjo lloj retorike zë vend vetëm në pjesën më të cekët të publikut dhe elektoratit.