Çfarë tjetër duhet të ndodhë që Mimoza Kusari-Lila të japë dorëheqjen?

Nga Lirim Mehmetaj

Moment të një niveli të tillë të poshtërimit sa ky kur Slavko Simiç, vartësi i kryekriminelit serb, Milan Radojiçiç, i thotë shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, “po të dua ua thejë kokën”, dhe ajo nuk bëza, nuk ka pasur kurrë në historinë politike të Kosovës së pasluftës.

E kam fjalën – nëse tashmë nuk e kanë marrë vesh të gjithë – për audio-incizimin në të cilin u dëgjua Mimoza Kusari-Lila e anëtari i Listës Serbe, Slavko Simiç.

E tmerrshme, e gërditshme, nënçmuese dhe e pafalshme kjo situatë kur Kusari-Lila i nënshtrohet deri në atë masë zyrtarit të Listës Serbe, saqë për një person që Kosova e ka shpallur edhe terrorist dhe për më shumë se dy vjet është i kërkuar nga autoritet e Kosovës, e pyet se përse Amerika e futi në listë të zezë.

Kur Slavko Simiç i thotë se “Radojiçiç është njeri familjar”, Kusari-Lila ia pohon me “e di”.

Ajo e di që krimineli është njeri familjar dhe nuk e di përse Amerika e ka futur në listë të zezë kriminelin.

Kusari-Lila e pranon gjithashtu se ka biseduar në pesë rast me kriminelin Radojiçiç, dhe në një nga këto raste për energjinë elektrike në Veri.

Se çka u duhet biseda për energjinë në veri një deputeteje të Kosovës dhe një krimineli të Veriut, këtë e dinë veç deputetja dhe krimineli.

Çka ke pasur të flas deputetja me Radojiçiç-in për energji? Me direktiva të kujt i keni bërë këto biseda? A e di Albin Kurti që ajo ka biseduar me Radojiçiç-in për energji elektrike në Veri?

Partia e Kusari-Lilës, por edhe vetë ajo ka akuzuar Ramush Haradinajn se e ka pritur Radojiçiç-in në zyrë, madje atëherë ai nuk ishte person i kërkuar nga drejtësia dhe takimi ishte publik, derisa vetë ka biseduar me të fshehurazi dhe në një kohë kur ai është i kërkuar i drejtësisë.

Iu ofrua rasti në një emision, por deputetja nuk tha se pendohet për këtë veprim.

Simiç i tha në një moment të audio-incizimit se ai i ka shpjeguar diçka kur kanë biseduar, pra kjo nuk ishte biseda e parë e saj dhe me gjasë as e fundit e kësaj natyre. E pyetur edhe për këtë, deputetja ishte krejtësisht e përqartë dhe pa përgjigje fikse.

Kur Simiç i thotë se Radojiçiç nuk e meriton tretmanin që po i bëhet ajo nuk reagon fare. Përse nuk i thoshte edhe atij çfarë na thotë ne në publik, se Radojiçiç është një kriminel?

Është një pjesë e bisedës që me gjasë e implikon edhe ligjërisht, pasi bashkëbiseduesi dëgjohet tek i thotë se “ti më ke thënë se ke biseduar me kryeministrin dhe kryeministri do të shikojë çfarë mund të bëjë dhe se do flas edhe me ministren e drejtësisë. Kjo është implikim i drejtpërdrejtë në procese të drejtësisë.

Çfarë i ka kërkuar kryeministrit Kusari-Lila, çfarë i ka thënë kryeministri asaj, përse të bisedonte me ministren e drejtësisë?

Kusari-Lila në publik i ka akuzuar të tjerët për raporte me Listën Serbe, kurse aty në incizim ia konfirmon Simiçit se janë partnerë qysh nga fillimi. A nuk është kjo një hipokrizi jashtëzakonisht e madhe?

Edhe nëse nuk ka asnjë implikim ligjor, fakti që është zënë në përgjim duke e pranuar se ka biseduar në telefon me një kriminel si Radojiçiç do të duhej të mjaftonte që të jepte dorëheqje menjëherë.

Me çfarë kredbiliteti moral dhe politik ajo mund të akuzojë të tjerët, për çfarëdo, kur tashmë e dimë se ka biseduar për t’u koordinuar në telefon me një njeri që SHBA-të e kanë futur në listën e zezë, një njeri që dyshohet për vrasjen e Oliver Ivanoviç-it dhe që është në arrati nga drejtësia e Kosovës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT