Albin Kurti largohet drejt Greqisë, injoron mbledhjen e krerëve të rajonit në Tiranë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI që po mbahet në Greqi.
Zyra e Kurtit njoftoi se kryeministri, nga sot po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar.
Simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit, dhe kjo është hera e parë që Kurti merr pjesë në një eveniment të tillë.
Por gjatë kësaj periudhe, në Tiranë pritet të mbahet një eveniment tjetër i rëndësishëm për rajonin, dhe ku Kurti është i ftuar të marrë pjesë.
Kryeministri Edi Rama bashkë me katër liderët e tjerë të rajonit, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo si dhe ajo e Serbisë Ana Bërnabiç si dhe komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi do të drekojnë në vilën 30 mesditën e të hënës në një takim informal ku do të diskutohet për Procesin e Berlinit.
Ndaj mbetet e paqartë nëse Kurti do e ndërpresë vizitën e tij në Greqi, për t’iu bashkuar liderëve të rajonit në Tiranë.
Një gjë e tillë ka shumë pak gjasa të ndodhë, duke marrë parasysh krisjen e thellë mes Kurtit dhe Ramës, pasi kryeministri i Kosovës vendosi ta njorojë Ramën duke mos e takuar gjatë vizitës në Prishtinë disa ditë më parë.