Serbia revoltohet me Turqinë: Ankaraja po armatos intensivisht Kosovën, në vjeshtë merr dhe drejtimin e KFOR-it

Sekretari i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviç, ka pretenduar se Turqia po punon intensivisht për armatosjen, trajnimin dhe pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës me armatim dhe dronë.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, RTS, Staroviç, ka bërë të ditur se për këtë gjë Serbia i ka dorëzuar ambasadorit të Turqisë në Serbi një notë proteste.

Armatimi i Kosovës nga Turqia, siç ka pretenduar Staroviç, është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si me të gjitha marrëveshjet përkatëse në kuadër të dialogut në Bruksel.

“Ne i kemi ndjekur intensivisht të gjitha këto procese, agjencitë tona që janë përgjegjëse për këtë, prej muajsh i raportojnë udhëheqjes shtetërore në detaje për gjithçka që po ndodh dhe sigurisht, në përputhje me këtë, duke përdorur kanalet diplomatike. Ajo që po ndodh është absolutisht e papranueshme”, ka thënë Staroviç.

Si tejet të rëndësishëm për të diskutuar këtë çështje, Staroviç, ka veçuar takimin që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet të zhvillojë gjatë kësaj jave me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Duke pretenduar se Turqia mund ta marrë drejtimin e Komandës së KFOR-it, Staroviç, ka theksuar se një gjë e tillë është e papranueshme.

“Ne po përdorim të gjitha kanalet në dispozicion për të paralajmëruar partnerit tonë Turqinë se kjo është e papranueshme për ne dhe ajo që është veçanërisht shqetësuese është fakti se Turqia do ta marrë komandën e KFOR-it në vjeshtë të këtij viti, për herë të parë pas themelimit të misionit të KFOR-it”, ka pretenduar ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT