Kushi ndan dy lajme të mira për Gersi Trokën, kampionin shqiptar në Lojërat Botërore Speciale

Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Evis Kushi priti sot në MAS ekipin që sportistet, Gersi Troka dhe Adi Sula që përfaqësuan Shqipërinë në Lojërat Olimpike Speciale në Berlin 2023.  Gersi Troka u shpall kampion bote në not, ndërsa Adi Sula fitoi 2 medalje argjendi dhe 2 medalje bronzi në peshëngritje.

Gjatë bashkëbisedimit me sportistët, ministrja e arsimit shprehu mbështetjen e saj gjithë nxënësit apo studentët me aftësi ndryshe. Por përmes një postimi në rrjete sociale, znj.Kushi ndau 2 lajme të mira për kampionin special në not.

“Në datën 2 tetor këtë vit Gersi do të fillojë studimet e larta në Universitetin e Sporteve të Tiranës, duke realizuar një nga ëndrrat e tij më të mëdha për të cilën është përpjekur kaq shumë dhe që e meriton plotësisht. Gjithashtu këtë vit shkollor, ai do të jetë edhe deputet nderi i Parlamentit të Nxënësve në legjislaturën e tretë 2023 – 2025, duke sjellë në MAS zërin e shumë nxënësve me aftësi ndryshe.”

Postimi i plotë i ministres:

Sot dua të ndaj me ju dy lajme shumë të mira për Gersi Trokën, kampionin botëror të notit që na bëri të gjithëve krenarë me medaljen e parë të arit për Shqipërinë në Lojërat Olimpike Speciale në Berlin 2023. Në datën 2 tetor këtë vit Gersi do të fillojë studimet e larta në Universitetin e Sporteve të Tiranës, duke realizuar një nga ëndrrat e tij më të mëdha për të cilën është përpjekur kaq shumë dhe që e meriton plotësisht.

Gjithashtu këtë vit shkollor, ai do të jetë edhe deputet nderi i Parlamentit të Nxënësve në legjislaturën e tretë 2023 – 2025, duke sjellë në MAS zërin e shumë nxënësve me aftësi ndryshe.

Mbështetjen tonë do ta ketë edhe peshëngritësi Adi Sula, i cili fitoi 2 medalje argjendi dhe 2 medalje bronzi në Lojërat Olimpike Speciale, e po ashtu edhe të gjithë nxënësit apo studentët me aftësi ndryshe, sepse tashmë kemi nisur punën për përfshirjen e “Special Olympics” dhe “Paralympics” në Ligjin për Sportin.

Faleminderit Roland Hysi dhe Special Olympics Albania për të gjithë punën dhe përkushtimin në këtë mision!

© Credits/ Video e marrë nga facebook.com/kushievis

Back to top button
LAJMET E FUNDIT