Joseph: Kurti i pamatur në veprimet e tij në Veri, të hetohet trajtimi i serbëve të arrestuar

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin “John Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një intervistë për Demostat.rs i ka cilësuar si të pamatura veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Veri.
“Është e qartë se Kurti ishte i pamatur në lëvizjet e tij operative në Veri, sfidues kur ishte fjala për bashkësinë ndërkombëtare dhe provokues kur bëhej fjalë për bashkëqytetarët e tij, serbët e Kosovës. Jo vetëm arrestimet, por edhe trajtimi i serbëve të arrestuar, meritojnë hetim”, tha ai.
“Është interesante që Kurti kritikohet ashpër nga shqiptarët për qasjen e tij ndaj ShBA-së dhe BE-së, veriut, madje edhe ndaj serbëve të Kosovës. Opozita dhe një pjesë e madhe e mediave dhe shoqërisë civile, janë të zemëruar me Kurtin, jo vetëm për shkak të ndarjeve të brendshme, por edhe për shkak të ashpërsisë së tij ndaj serbëve të Kosovës dhe qëndrimit të tij në Veri”.
Joseph, thotë se politika në Kosovë nuk është garë se “kush mund të jetë më i ashpër ndaj serbëve”.
“Përkundrazi, opozita akuzon Kurtin se ka tjetërsuar pa nevojë ShBA-në dhe BE-në, për shkak të Veriut. Në përleshjen e pafalshme të javës së kaluar në parlamentin e Kosovës, shohim armiqësinë e fortë që ekziston në opozitë”, shtoi ai.
“ShBA-ja dhe BE-ja ndajnë fajin për situatën për shkak të mënyrës sesi menaxhuan dinamikën e ngjarjeve për muaj të tërë. ShBA dhe BE janë mjaft të ashpra ndaj Kurtit, por prej muajsh lejuan provokimet e Vuçiç-it. Kjo u pa qartë gjatë dhunës së 29 majit, kur ushtarët e KFOR-it u sulmuan. Fatkeqësisht, një ushtar hungarez i KFOR-it humbi këmbën”.
“Megjithatë, pas kësaj dhune, Vuçiç u vlerësua si partner, kurse Kurti fajtori kryesor për SHBA-në, BE-në dhe NATO-n. Kurti ishte bashkëpunëtor në dhunë – por Policia e Kosovës dhe KFOR-i ishin objektivat e asaj dhune”.
Ai ka folur fjalë të mira për ish-kryeministrin Avdullah Hoti, i cili sipas Joseph, ishte i gatshëm ta formonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Tani le të imagjinojmë se ka pasur një udhëheqës më bashkëpunues në Prishtinë. Në fakt, nuk kemi pse të imagjinojmë; kishte një drejtues më bashkëpunues. Ai quhej Avdullah Hoti. Në shtator 2020, ai madje nënshkroi Marrëveshjen e Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë të Trump, së bashku me Presidentin Vuçiç. Në një moment ai pranoi që në rend dite ta vendosë Asociacionin”.