Mesazhi për Shqipërinë i një simboli të antifashizmit: Mos i hidhni verës ujë. Fashizmi nuk ka vdekur

Manolis Glezos është një nga figurat emblematike të luftës kundër nazifashizmit. Por edhe më pas, një luftëtar trim dhe rebel kundër juntës ushtarake, që e drejtoi vendin e tij për 7-8 vjet.
Në Greqi gëzon respekt dhe simpati të jashtëzakonshme, nga të vjetër dhe të rinj. Në Europë ka një emër të njohur.
Ai hyri në histori më 30 maj 1941, kur në moshën 19-vjeçare, me guxim të pashoq, u ngjit në kolonat më të larta të Akropolit dhe hoqi prej aty flamurin svastik të pushtimit.
Ai ka ardhur në Shqipëri edhe nga mesi i viteve ’80.
Në 9 shtator të këtij viti ai mbush 97 vjeç.
Dy vjet më parë duke kundërshtuar insinuatat e ministrit të Arsimit gjatë një debati ku u përmend Shqipëria, shpërtheu në mes të parlamentit: “Grekët dhe shqiptarët duhet të jetojnë në harmoni”. Pastaj iu drejtua ministrit K. Arvanitopoulos duke i thënë. “Ti vetë ke mbiemrin Arvanitis! Shqiptar!”
Në një intervistë për TVSH gjatë një vizite në Tiranë, Glezos foli me respekt për popullin shqiptar, veçanërisht, vlerësoi Luftën Antifashiste.
Sot DITA ka botuar një prononcim të tij dhënë dje lidhur me atë që po ngjet në Shqipëri me rehabilitimin zyrtar të kolaboracionistëve dhe goditjen e figurave që përfaqësojnë luftën partizane dhe përpjekjen e armatosur gjatë LANÇ.
“E dhimbshme, por mos u çudisni. Neofashizmi po godet edhe në Greqi e në vende të tjera. Ne, ju, të gjithë krenohemi me atë luftë. Mos i hidhni verës ujë. Fashizmi nuk ka vdekur” – tha ai.