Krahu i Operacioneve Speciale ajrore amerikane stërvitje në Shqipëri

Për rreth një javë, nga data 29 korrik deri më 5 gusht, njësia operative e Komandës së Operacioneve Speciale të Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara, kreu veprime dhe fluturime stërvitore në hapësirën ajrore shqiptare.
Avionët dhe trupat amerikanë u dislokuan në pjesën ushtarake të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku u vizituan nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila shoqërohej nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore, kolonel Editson Zarka dhe atasheu ushtarak amerikan, kapiten i Rangut të Dytë James Hilton.
Ministrja Xhaçka u njoh me qëllimin e stërvitjes si dhe me misionin dhe detyrat e Krahut të 352-të të Operacioneve Speciale, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ministrja u ngjit në bordin e një prej avionëve të tipit “MC-130J Commando II”, ku u njoh me kapacitetet dhe aftësitë e këtij mjeti fluturues dhe ekuipazhit të tij.
Xhaçka e vlerësoi praninë e avionëve transportues të përmasave të tilla, të ushtrisë amerikane si një dëshmi e vëmendjes gjithnjë e më të shtuar, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë, e konkretizuar si në drejtim të trajnimit të efektivëve tanë ashtu edhe përmes pajisjeve me mjete si Humvee apo helikopterët Black Hawk, që pritet të hyjnë së shpejti në përdorim të Forcës sonë Ajrore.
Krahu i 352-të të Operacioneve Speciale shërben si pikë qendrore për të gjitha aktivitetet e operacioneve speciale të Forcës Ajrore të SHBA-ve në të gjithë Evropën. Kjo njësi është e përgatitur të kryejë një shumëllojshmëri misionesh me përparësi të lartë e shikueshmëri të ulët, që mbështesin forcat speciale të SHBA-ve dhe aleatëve në kohë paqeje, në stërvitjet e përbashkëta dhe operacionet luftarake.