232 milionë dollarë investime, Sejamini kundërshton Bankën e Shqipërisë: E tregoi të vërtetën raporti i DASH

Eksperti Neritan Sejamini ka kundërshtuar të dhënat e Bankës së Shqipërisë për investimet amerikane në vend.

Ai thotë se Banka e Shqipërisë ka deklaruar se në vitin 2022, investimet amerikane në Shqipëri arritën në 232 milionë dollarë. Sipas tij, kjo shifër u riciklua nga raporti i DASH për klimën e biznesit në Shqipëri.

Ndërkohë, Sejamini thotë se statistikat e qeverisë amerikane tregojnë se investimet amerikane në Shqipëri janë prej vitesh zero ose negative. Analisti shprehet se blerjet e shtëpive në Shqipëri nga shqiptarët e Amerikës llogariten si investim amerikan. Ai hedh hipotezën se shifrat që publikon Banka e Shqipërisë nuk kanë të bëjnë me kompanitë amerikane.

Sipas ekspertit, mjafton që një trafikant shqiptar të regjistrojë apo gjejë një kompani të gatshme në Spanjë, Francë, Hollandë apo Mbretërinë e Bashkuar dhe paratë që ai pastron në Shqipëri llogariten si investim i huaj i atij vendi.

Postimi i Neritan Sejaminit

Banka e Shqipërisë ka deklaruar se në vitin 2022 investimet amerikane ne Shqipëri arritën në $232 milionë. Këtë shifër ricikloi (me burim BSH) raporti i DASH-it për klimën e biznesit në Shqipëri. Shifër marramendese, por edhe po aq e pavërtetë.

Statistikat e qeverisë amerikane tregojnë se investimet amerikane në Shqipëri janë prej vitesh zero ose negative. Të dhënat e Byrosë së Analizave Ekonomike të Departamentit amerikan të Tregtisë, departamenti përgjegjës për mbikqyrjen e investimeve amerikane në botë japin këto statistika zyrtare:

— Në vitin 2022 investimet amerikane në Shqipëri qenë negative, të barabarta me minus $69 milionë—pra, gjatë vitit 2022 u çinvestuan ose u tërhoqën $69 milionë asete që ishin investuar më parë nga kompani amerikane.

— Në vitin 2021, investimet amerikane qenë minus $87 milionë, pra $87 milionë dollarë asete të investuara më parë u likujduan nga kompanitë amerikane.

— Në vitin 2020 investimet amerikane ishin $0 (zero).

— Në vitin 2019 investimet amerikane ishin $0 (zero).

(Në fakt, intuita ta thotë që po të ishin investuar realisht $232 milionë në Shqipëri, Ambasadorja Kim dhe Kryeministri Rama do ishin me shirit në dorë për ditë dhe do vizitonin për ditë këto kompanitë amerikanë).

Nga e gjen Banka e Shqipërisë shifrën e “investimeve” që raporton? Nuk e di. Ajo që dihet është se BSH raporton mbi bazën e transfertave bankare. Me gjasa, blerjet e shtëpive në Shqipëri nga shqiptarët e Amerikës llogariten si investim amerikan. Me gjasa, po ashtu edhe një trafikant shqiptar që jeton në Amerikë—vjet u shpall investitor nga qeveria e ka nisur ndërtime në bregdet—llogaritet investim amerikan.

Ka plot mundësi të tilla që nuk kanë të bëjnë me kompani të verteta amerikane.

Ne fakt, mjafton që një trafikant shqiptar të regjistrojë apo gjejë një kompani të gatshme në Spanjë, Francë, Hollandë, MB dhe paratë që ai pastron në Shqipëri llogariten si investim i huaj i atij vendi.

E gjitha kjo është hipotezë e imja, por ndoshta jo larg të vërtetës, sikurse e dëshmon një fakt tjetër: paratë e “investuara” në incineratorin e Tiranës llogariten si investim hollandez nga BSH meqë kompania e incineratorëve është regjistruar nga Mërtiri dhe Zoto në Hollandë.

© Marrë nga facebook.com/nsejamini

Back to top button
LAJMET E FUNDIT