Zyrtari i lartë i SHBA-së: Korrupsioni i kudo ndodhur në Shqipëri

Qeverisja e Edi Ramës në këto gjashtë vite ka qenë fokusi i një emisioni radiofonik të “Zërit të Amerikës”.
Lidhur me këtë çështje, u pyet këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hank, i cili vuri në pah keq-qeverisjen e vendit.
Zyrtari i lartë amerikan u shpreh se disa prirje të qeverisë së drejtuar nga Rama janë problematike.
Sipas tij, nisma e qeverisë lidhur me paketën anti-shpifje është shqetësuese.
Më tej ai nënvizoi se një tjetër problem madhor i qeverisë është korrupsioni i kudo ndodhur në Shqipëri.
Ai tha:
Kryeminsitri Rama ka qënë në pushtet që nga 2013. Socialistët fituan të vetëm në zgjedhjet e fundit pa patur nevojë për koalicion. Duke parë Shqipërinë, por edhe vende të tjera, në dy-tri vitet e para të pushtetit arrihet përparim. Në mandatin e dytë, kur vjen tek viti i gjashtë, fillojnë dalin zhvillime, që janë problematike, pra kjo është një prirje që vihet re gjithandej dhe nuk dua të fajësoj për këtë vetëm kryeministrin. Megjithatë disa prirje të kësaj qeverie janë shqetësuese. Është shqetësuese nisma lidhur me median në internet dhe masat që mund të merren kundër portaleve të lajmeve, pasi mund të jenë vendime arbitrare nga një ent administrativ. Jo vetëm OSBE-ja, por shumë organizata të tjera që merren me lirinë e shtypit, brenda ose jashtë Shqipërisë, apo shoqëria civile, kanë shprehur shqetësim për të. Po ashtu është shqetësues problemi i korrupsionit që është i kudo-ndodhur në Shqipëri. Në pikëpamjen time vendi ka përparuar këto 6 vjet. Mendoj se Reforma në Drejtësi mund ta çojë vendin më përpara. Shqipëria duhet të shpërblehet për këtë, por kjo nuk i bën të padukshme problemet e tjera. Por largimi i opozitës nga parlamenti, siç ndodhi në shkurt, krijoi një problem të ri, duke e zhvendosur vëmendjen tek veprimi i saj, në se ishte kundër-produktiv apo jo dhe u lanë në harresë problemet e vërteta për ta mbajtur qeverinë përgjegjëse për veprimet e saj, gjë që është pikërisht misioni i opozitës.”