A jeni dakord me këtë që po tenton kryeministri Rama?

Janë dy projektligje që përbëjnë të ashtuquajturën “paketë ligjore anti-shpifje”.

Njëri  i jep të drejtën Këshillit të Ankesave tek AMA pushtetin që të detyrojë gazetat dhe portalet on line të ndryshojnë / korigjojnë përmbajtjen  e tyre, sa herë që në AMA mendon se një publikim “cënon apo dhunon dinjitetin ose privatësinë” e dikujt.

Te të cënuarit përfshihen sipas ligjit “institucionet, anëtarët e qeverisë, deputetët, kryebashkiakët etj”

Në rast se portali refuzon Këshilli i Ankesave merr me ligj pushtetin të vërë gjoba që shkojnë deri në 10 milionë lekë ose 8.300 Euro.

Projektligji i dytë ka të bëjë me një tjetër institucion administrativ: Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postale (AKEP), të cilit i jepet pushteti të vendosë inserte tek  portalet online, nëse Këshilli i Ankesave konstaton se gazetarët nuk kanë zbatuar ligjet e reja.

Edhe AKEP-it i jepet me ligj e drejta t’u vërë gjoba gazetave dhe portaleve deri në 10 milionë lekë ose 8.300 Euro.

Me pagat e sotme të gazetarëve online kjo shumë përbën në rastin më të mirë pagën e dy viteve të një gazetari.

Ai mund të gjobitet me këtë shumë sipas ligjit për një shkrim të vetëm on line.

Në dy projektligjet e mësipërme parashikohet që gjobat nuk ankimohen dot pa u paguar.

Dmth ato duhen paguar menjëherë  dhe më pas subjektet e prekura mund t’i drejtohen gjykatës.

Dy projekligjet e qeverisë Rama nuk bëjnë diferencim mes  portaleve të fuqishme on line dhe blogjeve individuale, ato preken njëlloj.

Megjithë kundërshtimet brenda dhe jashtë vendit, Rama është i vendosur që këto dy projektligje të votohen në Parlament në shtator.

“AMA dhe AKEP janë dy institucione publike, administrative që zgjidhen nga pushteti politik dhe nuk mund të bëhen garante të lirisë së mediave on line. Gjobat janë të papërballueshme nga gazetarët dhe redaktorët e mediave on line- gjë që krijon të gjitha premisat për censurë dhe auto censurë” – thotë Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Profesionistë.

Ndërsa Kristina Voko, kryeredaktorja e BIRN – Albania, thotë për DW, se “më tepër se të luftojë Fake News dhe shpifjen qeveria synon të ngrejë një mekanizëm  censure dhe kontrolli mbi mediat on line”.

“Në Europë, me përjashtimn të Rusisë asnjë vend nuk përdor institucione  administrative si AMA për të rregulluar përmbajtjen e mediave on line. Gjobat janë dragoniane dhe shtyjnë gazetarët drejt auto-censurës dhe anashkalojnë ose i mbivendosen rolit të gjykatave. BIRN mendon se dy projektligjet janë një atentat ndaj lirisë së shprehjes dhe medias” thekson Voko.

Përfaqësuesi për lirinë e medias në OSBE, Harlem Desir, në analizën ligjore të dy projektligjeve të bërë publike prej tij (qeveria nuk donte ti bënte publikë para miratimit) vë në dukje, se “paketa ligjore anti shpifje ka nevojë për përmirësime të mëtejshme”

“AMA, si rregullatori medias audio- vizuale në Shqipëri nuk duhet të zëvendësojë gjykatat e pavarura ose mekanizmat vetë rregulluese për lirinë e shprehjes, të bllokojë përmbajtjen e publikimeve  on line, të vendosë gjobat apo të përcaktojë modalitetet e së drejtës për përgjigje” vë në dukje analiza ligjore e OSBE.

Dy projektligjet po shqyrtohen edhe nga BE.

Ambasadori i Delegacionit  të BE në Tiranë, Luigi Soreca,  deklaroi se  “po i shqyrton së bashku me partnerë të tjerë ndërkombëtarë” .

10 organizatat e gazetarëve dhe të të drejtave të njeriut i janë adresuar BE dhe OSBE për të kërkuar  që të marrin parasysh objeksionet dhe komentet e tyre  ndaj dy projektligjeve.

Ato kërkojnë  që kopetencat në luftën kundër Fake News dhe shpifjeve t’i marrin  institucionet vetërregulluese që duhet të ngrihen nga komuniteti i gazetarëve dhe ekspertëve profesionistë për lirine e medias.

Detajet dhe prononcimet e mësipërm  janë marrë nga një raport i Deutsche Welle mbi projektligjet,

Mirë gënjeshtrat e portaleve do t’i vlerësojë dhe gjykojë qeveria.

Po gënjeshtrat e qeverisë kush?

Ju si lexues online jeni dakord me këtë që po tenton kryeministri Edi Rama me gazetat dhe portalet?

Moderatori Online Dita

Back to top button
LAJMET E FUNDIT