Shqipëri, sa më kushton?
Nga Vitjon Nina
Kanë bërë xhiron e rrjetit së fundmi reportazhet e mediave më të mëdha italiane, sa i takon një zhvendosjeje të turistëve vendas drejt Shqipërisë, duke parë edhe inflacionin e madh që çmimet kanë pësuar – më së shumti në zonën e Puglias.
Janë shumëfishuar nisjet nga Brindisi drejt Shqipërisë sipas këtyre reportazheve dhe “meritë” për këtë, ka një politikë që po ndiqet nga Puglia, për të zhvilluar më së shumti turizmin elitar.
Përse atëherë italianët duhet të shpenzojnë aq shumë, kur për më lirë mund të shkojnë pak minuta më larg me avion, në “Maldivet e Evropës”.
Kështu është pagëzuar jugu i Shqipërisë, në të cilin janë rritur turistët e huaj me 33%, krahasuar me rënien puglieze prej 20%.
Një hetim të tillë të saktë e ka zhvilluar edhe media prestigjioze italiane, La Repubblica, të titulluar “Shqipëri, sa më kushton?”.
Shqipëri, sa më kushton?
Ndoshta do të zgjasë edhe disa ditë, por çmimet shqiptare (të cilat me siguri do të rishikohen verën e ardhshme) janë vërtet të përballueshme.
Një çadër dhe dy shezlongë variojnë nga 10 deri në 15 euro. Në Puglia mund të kushtojnë edhe 50.
Destinacioni i preferuar i italianëve është Ksamili, një det i ngjashëm me atë pugliez, por sigurisht më pak i kushtueshëm.
“Me këtë histori të Maldiveve të Evropës, një hedhje guri dhe pa lodhje, zhvilluesit shqiptarë po inkurajojnë shkatërrimin e bregdetit shqiptar. Ne po shkojmë drejt një tregu masiv me kosto të ulët, duke tërhequr turma të interesuara vetëm për dhoma dhe alkool me çmime të volitshme.
Por është një strategji që ka rezultuar e pasuksesshme në të gjitha vendet e Mesdheut”, thotë Auron Tare, anëtar i këshillit të UNESCO-s për vendet arkeologjike dhe operator turistik për VIP-at.
Çmimet do të rriten edhe në Shqipëri, është tregu. Kërkesa është shumë e lartë dhe ka ardhur koha për të maksimizuar.
Pragu prej 200 euro për natë tashmë është tejkaluar në disa hotele më 15 gusht.
Ndaj, ndoshta ky mund të jetë edhe viti i fundit për të përfituar nga “uljet” që Shqipëria ofron.