DETAJE TË REJA nga vrasja e kenianes Joy: Policia kërkon të pyesë të tjerë dëshmtiarë, një prej tyre e di kush është vrasësi

Autoritetet keniane kanë nisur përgatitjen e përgjigjes së letërporosisë së dërguar nga prokuroria shqiptare lidhur me çështjen e vdekjes së vajzës keniane Joy Ayoko.
Tre ditë më parë Drejtoria e Hetimeve Penale të INTERPOL Kenias ka kontaktuar nënën e Joyt, Ruth Abongo dhe i kanë kërkuar raportin e vdekjes së Joyt për llogari të autoriteteve shqiptare, të cilën nëna ia ka dërguar 3 ditë më parë.
News24 raporton se përveç raportit të vdekjes së Joyt, në letërporosi autoritetet shqiptare kanë kërkuar edhe marrjen në pyetje të nënës së saj, motrës dhe vëllait, e po ashtu dhe të shoqes në Kenia, me të cilën 22-vjeçarja ka komunikuar pak minuta para ngjarjes së rëndë ku u dhunua barbarisht.
Mësohet se ekzistojnë dëshmi ku është zbuluar se shoqja e dhomës së Joyt, Emily Mutua i ka thënë motrës së Joyt emrin e autorit të vrasjes së 22-vjeçares dhe për këtë arsye do të pyetet edhe motra e Joyt. Këto persona pritet të merren në pyetje në ditët në vijim nga autoritetet keniane sipas pyetjeve që i kanë nisur autoritetet shqiptare dhe më pas do i kthehet përgjigje letërporosisë së prokurorisë shqiptare.
Autoritetet keniane kanë nisur kontaktimin e personave që do pyeten. Po ashtu, autoritetet shqiptare kanë kërkuar informacion edhe për laptopin e Joyt, i cili ndodhet në Kenia, pasi për grupin hetimor mund të jetë një provë e rëndësishme. Sipas informacioneve nga avokati mbrojtës i vajzës keniane, prokuroria po pret mbërritjen e përgjigjeve të letërporosisë nga Kenia, si prova të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes.