Deputeti grek kërkon lirimin e Belerit: Do të krisen marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

Një deputet nga parlamenti grek, Angelos Syrigos ka vizituar ditën e premte kryebashkiakun e Himarës, Fredi Beleri në spitalin e paraburgimit. Ai u shpreh për mediet se vizita ishte në emër të partisë Demokracia e Re dhe qeverisë greke.
Syrigos tha për mediet se mbajtja e Belerit në burg dhe pengimi për tu betuar si kryetari i Bashkisë Himarë do të “krisë” marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisi. Gjithashtu, ai shtoi se do të ndikojë në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian duke theksuar se qeveria shqiptare ka thënë se pavarësia e drejtësisë duhet respektuar dhe se pritet fjala dhe provat nga ana saj.
Ai i bëri thirrje qeverisë shqiptare të zbatojë prezumin e pafajsisë për shtetasit e saj dhe ta lejojë Fredi Belerin që të betohet si kryetar i bashkisë, pasi sipas tij ky ndalim është dhunë ndaj të drejtës civile.
Kryebashkiaku i Himarës ndodhet në paraburgim prej datës 12 Maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi u kap në flagrancë duke premtuar dhe dhënë para për të blerë vota. Pavarësisht se ishte në qeli, ai arriti të fitonte dhe të merrte mandatin nga KQZ.
Fredi Beleri, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit dhe bashkë me bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi, akuzohen për blerje votash.
Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri dhe Kokaveshi u arrestuan në kushtet e flagrancës.