Kurti thirrje BE: Hiqni masat e padrejta ndëshkuese! Sanksionet të palogjikshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bën thirrje Bashkimit Evropian që të heqë masat, siç i quajti ai, të padrejta ndëshkuese ndaj Kosovës, ndërsa përsëriti se qeveria është e hapur përmbajtjen e zgjedhjeve të reja në veriun të vendit.
Kurti thotë se mënyra më e mirë për thirrjen e zgjedhjeve të reja është përmes nenit 72 të ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili u mundëson qytetarëve të komunave përkatëse t’i shkarkojnë kryetarët e tyre përmes peticionit.
“Mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktualë.
Jemi të hapur për këtë. Është krijuar edhe një grup punues që do të bëjë rregullimin e çështjeve teknike administrative të dispozitave të këtij neni dhe këtij ligji. Thash ta presim punën e tyre, sa më shpejtë aq më mirë”, u shpreh ai.
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, dhe i dërguari i BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, arritën një dakordim për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, gjatë një takimi më 10 korrik në Bratisllavë.