“Ne që ngrejmë dëshmorë turq e grekë dhe masakrojmë tanët”

Ne prishim lapidarët e dëshmorëve tanë dhe ngremë lapidarët e ish pushtuesve…

Ky është reagimi i poetit Arben Duka lidhur me lajmin se në Tiranë u është ngritur një memorial viktimave të të ashtuquajturit grusht shteti kundër Erdoganit.

Më poshtë vargjet e Dukës botuar në rubrikën e tij në Dita:

Ku vallë qe fshehur,
gjithë kjo farë legeni,
po “dëshmorët” turq,
ç’duan tek Liqeni?!

Lapidarët tanë,
ne po masakrojmë,
po këtë të turqve,
përse e ndërtojmë!

Këta lart i ngremë,
tonët i mohojmë,
turp-o turp të kemi,
që nuk reagojmë!

Në Jug-varret greke,
mbuluan dynjanë,
me justifikimin,
se këtu u vranë!

Mirë-ata të grekut,
se këtu u vranë,
po këta mavrinjtë,
për ç’arsye janë?!

Unë di që më vete,
ka dalë Shqipëria,
dhe është shkëputur,
nga Perandoria!

Po ka shumë mundësi,
tani Erdogani,
e mendon vetveten,
si një tip Sulltani!

Si në tokë të tyre,
turqit edhe grekët,
gjer në fund të këmbëve,
na kanë rënë brekët!

Pesëqind vjet çibanët,
duroi kjo tokë,
krenari e Kombit,
ku vajti-o shokë!

Politikë e ndyrë,
na ka turpëruar,
po ç’bëni kështu,
more të mallkuar?!

Turqit nuk i kemi,
vllezrit e mëdhenj,
po pushtuesit tanë,
more maskarenj!

Pini edhe gjak,
ju me Erdoganin,
po pis mos e bëni,
vendin dhe vatanin!

Me turkun nuk jemi,
as sua-as gjak,
pesëqind e ca vjet,
na mbiu në prag!

Ju që turpëruat,
me rrënjë mëmëdheun,
ndonjë ditë do hiqni,
edhe Skënderbeun!

Edhe Skënderbeun,
atë burrë me famë,
që ka turpëruar,
plot katër sulltanë!

O ju qelbësira,
që ndotni vatanin,
o me Skënderbeun,
o me Erdoganin!

O me Skënderbeun,
o me Erdoganin,
se plot me çibanë,
na mbushët Vatanin!

Pikë dinjiteti,
si Komb nuk na lanë!
U shofshi me rrënjë,
o politikanë!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT