“Koka” e grabitjes së bujshme në Rinas bën lëvizjen e PAPRITUR në Gjykatën e lartë (Detaje)

Ai konsiderohej si një nga ‘kokat’ që organizoi grabitjen e bujshme që ndodhi në Rinas 4 vjet më parë, teksa katër persona hynë në barkun e avionit që po nisej për në Vjenë dhe morën shumën prej afro 5 milionë euro. Ai u arrestua kohë pas grabitjes bashkë me të vëllanë dhe sapo ra në pranga, rrezikshmëria për të cilën flitej, e bëri drejtorinë e Burgjeve që ta izolonte në 41 Bis.

Kështu njëri nga të akuzuarit për grabitjen e 4.6 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit, Klement Çala vijon betejën me ministrinë e Drejtësisë për izolimin në sistemin 41 Bis, një regjim sigurie tepër i ashpër në sistemin e burgjeve në Shqipëri. Në fund të korrikut, në gjykatën e Lartë është regjistruar çështja penale me objekt, kundërshtimin e urdhrit të ministrit të Drejtësisë nr. 230, datë. 20 maj 2022, “Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë për të paraburgosurin Klement Çala”.

Avokatët e të dënuarit e bazojnë kërkesën e tyre në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin e Procedurave Administrative si dhe ligjin për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.Kërkues rezulton vetë i dënuari, ndërsa relator i çështjes është anëtari i gjykatës së Lartë, Ilir Panda. Beteja ligjore e të dënuarit për grabitje me ministrin e Drejtësisë, ka nisur që prej vitit 2022, menjëherë pas urdhrit për izolimin në sistemin 41 BIS, i cili në tetor të atij viti u anulua nga Gjykata e Posaçme. Ky regjim i krijuar vitet e fundit në sistemin e burgjeve në Shqipëri, parashikon izolimin e personave të dënuar për krime të rënda dhe krim të organizuar me qëllim shkëputjen e tyre nga çdo mundësi bashkëpunimi apo mbajtje lidhje me personat jashtë.

Klement Çala është dënuar me 20 vjet heqje lirie për akuzën e pjesëmarrjes në grabitjen e 4.6 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit në prill 2019 në bashkëpunim me një grup të strukturuar kriminal ku bënte pjesë edhe Admir Murataj, personi që u vra po atë ditë që u krye grabitja. Në fakt, asaj grabitjeje i faturohen shumë krime të mëpasshme në vendin tonë, që lidhet me vrasje dhe atentate të shumta që kanë përgjakur vendin kryesisht në Elbasan, Tiranë dhe Durrës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT