Gazetari serb kujton vizitën në Shqipëri dhe darkën e “hidhur”: Na e shtruan si mbretër, ne u tallëm duke thënë se tani këta do vuajnë urie një muaj

Gazetari i njohur nga Vojvodina, Zhiva Vekecki, ka rikujtuar këto ditë humbjen e skuadrës së Partizanit të Beogradit nga skuadra shqiptare e Flamurtarit.
Ai, për të përditshmen e pavarur serbe “Danas” shkruan për mikpritjen shqiptrare dhe për një darkë të mirë që i kishte rezultuar “e hidhur”!
“Pata atë fat(keqësi) të isha pjesë e “ekspeditës” së vogël të Partizanit që më 1987 shkoi në Shqipëri.
Nikoqirët ishin jashtëzakonisht mikpritës, na çuan në Durrës, në Vlorë, dhe na plotësuan çdo dëshirë tonën.
Më kujtohet edhe sot darka jashtëzakonisht e pasur të cilën i ndjeri Milovan Iliq Minimax e komentoi në stilin e tij: “Këta tani do të vuajnë urie për një muaj”.
Ajo darkë na u bë e hidhur që të nesërmen – Flamurtari fitoi bindshëm (2:0) ndaj bardhezinjve të favorizuar.
Përkundër humbjes së dhimbshme, besonin se në ndeshjen e revanshit do t’ia dalim të mbetemi në skenën evropiane.
Pas një ore lojë, me golat e Stevanoviqit dhe Vokrrit, kompensuan “minusin” nga ndeshja e parë, krijuam edhe disa raste të tjera dhe – por në minutën e 76-të, futbollisti i Flamurtarit, Sokol Kushta goditi nga rreth tridhjetë metra diagonalisht, dhe Partizani e përfundoi piknikun e tij në Evropë.
Atëbotë ky ishte një senzacion”, kujton ai.
Kur Partizani u eliminua nga Flamurtari, kishte një skuadër të fuqishme: Omeroviq, Klinçarski, Gjorgjeviq, Vermezoviq, Radanoviq, Katanec, Smajiq Stevanoviq (Shqepoviq 81′), Vokrri, Milko Gjurovski (Bajoviq 35′), Vuçiqeviq (skuadra që luajti ndeshjen e revanshit).
Shumica prej tyre luanin për Përfaqësuesen A të Jugosllavisë, ose të paktën për seleksionin e të rinjve e të rinjve.