Hovenier: Amerika nuk mbështet “Shqipërinë e Madhe” e as “Serbinë e Madhe”

Amerika nuk e mbështet idenë as për “Shqipërinë e Madhe” e as për “Serbinë e Madhe”. Ky ishte mesazhi i qartë që dha ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier gjatë një takimi me gazetarë.
Kjo deklaratë erdhi pas polemikave dhe diskutimeve të shumta që ngjalli vizita e Kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, ku pasi u takua me faktorin shqiptarë atje u akuzua se promovoi idenë e “Shqipërisë së Madhe”.
Ndër të parët që e artikuloi publikisht këtë akuzë ishte presidenti serb Aleksandër Vuçiç i cili e cilësoi skandal vizitën e Kurtit në Tetovë dhe shfaqen e simboleve të “Shqipërisë së Madhe” me mbishkrimin autoctonus.
Edhe vetë Dimitar Kovacevski, kryeministri i Maqedonisë së Veriut e dënoi shfaqen e këtyre simboleve duke deklaruar se është në kundërshtim me ligjet e vendit të tij.
Pas këtyre akuzave, qeveria e Kosovës reagoi përmes zëdhënësit të saj, duke i konsideruar këto akuza të kota, pasi sipas tij është Vuçiç ai që po punon dhe insiston për botën serbe.