Nafta në Shpirag, Balluku tregon me shifra se sa do jenë fitimet për Shqipërinë

Zv.kryeministrja, njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka dhënë detaje, duke folur me shifra, se çfarë do të përfitojnë shqiptarët nga zbulimi i naftës në zonën e Shpiragut. Ajo tha se fitimet mund të arrijnë deri në 1.5 mln dollarë.
“Do të jetë 10% renta minerare, tatim fitimi në masën 50%, bonusi i prodhimit që është 250 mijë dollarë me prodhimin e fuçisë së parë, 750 mijë kur prodhimi arrin 15 mijë fuçi, 1.5 mln dollarë kur arrihet 30 mijë fuçi”, tha Balluku.
Nisur nga këto të ardhura, Balluku tha se këto para do të menaxhohen nga një Fond Sovran.
“Nuk janë të ardhura 500 mln në vit, por flasin për të ardhura shumë të larta që do të menaxhohen nga Fondi Sovran, përfitimi do të jetë i prekshëm për të gjithë”, shtoi ajo.
Megjithatë, kryeministri Edi Rama u kujdes të theksonte se këto fitime do të vinin vetëm në rast se testi përfundimtar do të ishte i suksesshëm.
“Nuk kemi sot për sot një shifër, kemi disa skenar, kështu që do ishte e tepër që këto skenarë të diskutohen sot, për këtë arsye kompania është shumë strikte deri në pasjen e një rezultati përfundimtar, në rast se testi do të jetë i suksesshëm”, përfundoi Rama.
Testi do të nis në muajin tetor dhe pritet një përgjigje përfundimtare brenda muajit dhjetor.