‘Qytetarët s’kanë kulturën e kuponit, bizneset heqin shiritat. Ligji i ri, pa gjimnastikë gjykatësish’

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj bashkë me drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve Delina Ibrahimaj zhvilluan sot një inspektim në kuadër të aksionit anti-informalitet.

Gjatë fjalës së saj ministrja Denaj u shpreh se inspektorët tatimorë janë përballur me kërcënime dhe kundërshtim të pronarëve apo administratorëve të subjekteve të kapura me shkelje.

Denaj tha se disa prej tyre e heqin vetë shiritin, përdorin terma kërcënues por  në disa raste heqja e shiritit bëhet edhe me vendim gjykate, por siç paralajmeroi ministrja, edhe gjykatat do mënjanohen si hallkë pas një tjetër ligji të posaçëm.

“Kjo periudhë 2-mujore na ka mësuar se kultura e kërkesës së kuponit nuk është ajo që duhet nga qytetarët. Disa e heqin vetë shiritin, por shkojnë më tej edhe kërcënojnë punonjësit, në klubet e natës por edhe në disa hotele. 

Heqja e shiritit bëhet edhe me vendim gjykate, i cili del kundër ligjit. Këto vendime do të rishikohen. 

Ne po punojmë ditën dhe natën, jemi shumë afër finalizimit deri në prodhimin e paketës që synon rritjen e masës së dënimit dhe evidentimin e shkeljes pa qenë nevoja për gjimnastikë nga gjykatësit”, deklaroi Denaj.

Ndërsa drejtoresha e Tatimeve deklaroi se plani operacional i cili ka filluar që në datë 4 korrik ka futur në sitë të gjithë vijën bregdetare në vend ku janë konstatuar një sërë shkeljesh.

“Plani operacional ka filluar që në datën 4 korrik. Është inspektuar e gjithë vija bregdetare. Janë konstatuar 1285 shkelje. Për rajone të ndryshme ky inspektim ka gjetur 537 shkelje për mos-regjistrim punonjësish, mungesë licence, mos-lëshim kuponi por edhe raste të përsëritjes së kësaj shkeljeje.

Plani operacional nuk përfshin vetëm vëzhgimin në terren. Ai është i përqendruar në subjektet e hidrokarbureve dhe ndërtimit. Ne do ju bëjmë me dije shkeljet nëpërmjet komunikimeve zyrtare”, u shpreh Ibrahimaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT