Rusia gjen trupat dhe kutitë e zeza të avionit ku vdiq Prigozhin

Kutitë e zeza, që mund të hedhin dritë mbi vdekjen e Yevgeny Prigozhin, janë gjetur. Kështu njoftojnë autoritet në Rusi, bashkë me konfirmimin për 10 trupa të pajetë nga avioni ku supozohet se udhëtonin drejtuesit e grupit famëkeq Wagner.

“Tani po kryhen teste molekularo-gjenetike”, thonë hetuesit.

Avioni u rrëzua afër Moskës të mërkurën, duke nxitur spekulime se faji ishte i një bombe ose një rakete të lëshuar nga toka. Pretendimet se Kremlini dha një urdhër për të vrarë Prigozhin janë një “gënjeshtër e plotë”, tha më herët për BBC zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin.

Prigozhin, dikur besnik i Putinit, udhëhoqi një revoltë të armatosur të ndërprerë nga luftëtarët e tij mercenarë në qershor. Putin në atë kohë e përshkroi kryengritjen si “tradhti”, por më vonë u arrit një marrëveshje që mercenarët e Wagner ose të bashkoheshin me ushtrinë e rregullt të Rusisë ose të shkonin në Bjellorusi.

Megjithatë, në vazhdën e rebelimit, shumë vëzhgues e përshkruan Prigozhin, si një “njeri të vdekur që ecën”, duke argumentuar se presidenti rus nuk do ta falte kurrë thikën pas shpine të bosit të Wagner.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT