“Kuzhina tradicionale shqiptare është kthyer në modë”
Flet Fundim Gjepali, “Agroturizëm Gjepali”

Kuzhina tradicionale shqiptare ka fituar terren, falë një kërkese në rritje të turistëve për të shijuar receta origjinale, si pjesë e përvojës së tyre gjatë qëndrimit në agroturizme.
Mastershef Fundim Gjepali vlerëson se ecuria e sektorit këtë vit është jashtëzakonisht e mirë, ku është rritur vëmendja e turistëve për Shqipërinë rurale.
Ai vlerëson se janë një sërë pikash të forta që po i japin këtë ritëm rritjeje agroturizmit, duke nisur nga cilësia e ushqimit te kostot më të ulëta, sesa në pjesën urbane.
Pikë e fortë e këtij sektori mbetet prodhimi dhe pikërisht aty është fokusuar edhe vëmendja, të paktën për ata që kanë mbyllur për momentin ciklin e investimeve.
Si ka qenë ecuria e sektorit të agroturizmit këtë vit, duke pasur parasysh fluksin turistik në vend?
Ka qenë shumë mirë. Ka pasur një rritje të theksuar dhe sidomos pranvera ka qenë fantastike. Rezervimet nga të huajt nëpërmjet Booking kanë qenë të larta.
Gjatë verës është e pritshme që situata të jetë më e mirë. Për shembull korriku, gushti dhe një pjesë e shtatorit duken që tani se janë shumë mirë.
Nga cilat shtete janë ata që bëjnë rezervime kryesisht. Ka ndonjë grup që bie në sy i cili mund të shihet si tendencë e re?
Janë nga e gjithë bota. Po të hysh në internet të shohësh “përshtypjet” e lëna në faqe e sheh qartë që shtetësitë janë të ndryshme. Ka nga Australia, Amerika, Europa që po eksplorojnë Shqipërinë rurale.
Një rol domethënës ka pasur sidomos promovimi që vijon t’i bëhet vendit nga mediat ndërkombëtare, të cilat kanë zgjuar kureshtje në gjithë anët.
Pavarësisht fluksit të të huajve, jam i mendimit që mbreti ynë është turisti vendas, sepse ai është i qëndrueshëm gjatë gjithë vitit.
Cilat janë arsyet që mendoni se e kanë bërë të suksesshëm këtë model biznesi në vendin tonë, i cili lidhet me pjesën rurale?
Mendoj se faktorët janë disa. Së pari është cilësia e ushqimit. Së dyti mendoj se janë kostot që, krahasuar me zonat urbane, janë më të ulëta. Së treti, eksperienca që ofron një agroturizëm, e cila është më e veçantë sesa të shkosh në një restorant.
Ka një interes të lartë për kuzhinën popullore, atë tradicionale, madje ka fituar terren mbi kulturat e huaja.
Dikur nëse në kuzhinën që ofroje nuk kishte diçka italiane apo franceze nuk kishte shumë kuriozitet. Tashmë, kuzhina tradicionale është kthyer në modë.
Ky vit ka qenë i pazakontë në kushtet klimatike kudo në botë, por e reflektuar edhe në vendin tonë. Sigurisht, kjo nuk ka ndikuar për mirë në sektorin bujqësor. Si kanë ndikuar kushtet klimatike në agroturizëm, pasi edhe ju keni pjesën tuaj të prodhimit?
Në fakt, ky vit ka qenë me shumë të papritura sa i takon motit dhe pasojat negative na kanë prekur. Për shembull, dëmi më i madh që ne pësuam ishte në të mbjellat e lulediellit, që i shkatërroi plotësisht. Dëme ka pasur në fasule dhe sidomos te rrushi, që është gjithashtu shumë keq.
Ne e kuptojmë se bujqësia është një sektor me rrezik dhe normalisht operojmë edhe me pak rezerva, por mendoj se pavarësisht dëmeve, do ta përballojmë edhe këtë sezon shumë mirë.
Mundësia jonë më e mirë është që të përshtasim gjithçka sipas prodhimit stinor. Ofrojmë në menu, për aq kohë sa kemi mundësi, prodhimet tona.
Për shembull qershitë i ofrojmë deri në momentin që kemi prodhimin tonë, pas kësaj jo më, duke mos u ndikuar nga tregu. Ndërkohë është dhe diçka tjetër shumë pozitive.
Ne ende kemi prodhime bujqësore lokale, me çmime shumë të mira, madje në disa raste qesharake, ndaj brenda këtij fleksibiliteti kemi mundësi që të ofrojmë edhe çmime të mira për klientët dhe të kemi edhe një fitim që na garanton vijimin e investimeve.
Si është gjendja sa i takon mishit dhe bulmetrave, duke qenë se shifrat tregojnë që blegtoria nuk është në ditët e saj më të mira?
Mishi dhe bulmetrat janë një problem botëror. Çmimet janë rritur në këtë sektor, por sidomos çmimet e punëtorisë kanë shkuar në standardin europian.
Rritja e kostove edhe tek ne, si kudo në botë, është e pashmangshme. Ky është momenti që ne të përqendrohemi te prodhimi vendas dhe rritja e tij dhe jo te produktet e huaja. +Mendoj se kemi një marzh të mirë fitimi dhe me kaq fluks turistik sa kemi, ka hapësirë për të qenë të qëndrueshëm.
Si është pritshmëria juaj këtë vit për ecurinë e sektorit?
Duke pasur parasysh që ky vit ka nisur shumë mirë që në fillim dhe se në korrik-gusht-shtator pritet një fluks i madh, mendoj se në fund, i gjithë viti do të jetë shumë i mirë.
Ata që janë organizuar do të marrin frytet e tyre. Një ndër ngërçet që u shfaq këtë vit ishte hemorragjia e fuqisë punëtore në pranverë, por tashmë duket se është frenuar.
Ju punoni më shumë me individë apo grupe të organizuar turistësh?
Priremi më shumë për individë dhe grupe të vogla pasi ky është formati që përshtatet më shumë në agroturizme. Në këtë formë përballon më mirë edhe shërbimin dhe ofron një përvojë më mbresëlënëse për klientin.
Përshtypjet që kemi janë shumë të mira dhe ne jemi munduar që për ata që na vizitojnë, të lehtësojmë aksesin në informacion, me ato që ofron zona e Shijakut dhe Durrësit për të provuar dhe për të vizituar.
Kjo është një formë që të rrisim shpenzimet që turistët bëjnë në zonë, por edhe të ofrohet një paketë më e plotë dhe më argëtuese.
Cili është fokusi juaj në vijim?
Për momentin jemi fokusuar te përballimi i fluksit turistik dhe normalisht riorganizime të vogla.
Në fund të vitit, ndoshta do të bëjmë shtesa strukturore, sepse fokusi ynë është prodhimi aktualisht.
A shihni në zonën ku operon agroturizmi juaj të zbatohen modele të ngjashme?
Çdo investim në zonë është pozitiv dhe mendoj se ka vend për të gjithë. Shijaku, në vetvete, po kthehet në një zonë agroturistike të rëndësishme dhe secili mund të evidentohet, duke ofruar më të mirën e tij.
Produktet që ofron, cilësia e shërbimit dhe mikpritja janë elemente që krijojnë hapësira për këdo që i vlerëson.



