Pse Papa e ka gabim për Moskën?

Nga Nathalie Tocci
Të reflektosh mbi fjalët e folura nga Papa Francesco gushtin e kaluar para një auditori vajzash dhe djemsh katolikë rusë me rastin e Ditës së Rinisë në Shën Petersburg nuk është e lehtë.
Nuk ka dyshim se Papa ka qëllimet e tij më të mira: synimet për paqe dhe drejtësi. Por pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme të nënvizojmë pse ato fjalë ishin kaq serioze, pse ato kanë krijuar konfuzion në Ukrainë dhe në pjesën tjetër të Evropës Lindore dhe pse pengojnë misionin dhe vizionin e Vatikanit për paqen.
Papa foli për madhështinë e perandorisë ruse, për rëndësinë e trashëgimisë së lënë nga Katerina II dhe Pjetri i Madh, ai ftoi të rinjtë që të mos i kthejnë shpinën asaj trashëgimie, atij identiteti. Këto janë fjalë që Vladimir Putin do t’i ketë vlerësuar pa dyshim.
Sepse lufta e Putinit është gjallëruar pikërisht nga ai identitet, nga ajo trashëgimi, nga ambicia jo vetëm për të mos harruar, por për ta rikthyer atë madhështi; një madhështi e bërë nga ekspansioni, pushtimi, asimilimi dhe imperializmi. Muaj më parë, në fillim të luftës, kur ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u pyet, në një takim privat, se cilët ishin këshilltarët që Putini dëgjonte më shumë, Lavrov u përgjigj me një buzëqeshje: “Katerina, Pjetri dhe Ivani (i tmerrshmi)”.
Jo, nuk ka nevojë të inkurajohen të rinjtë rusë që ta kujtojnë atë trashëgimi; një trashëgimi që Putini e kujton me melankoni dhe e lavdëron shumë publikisht. Është pikërisht ai kujtim dhe ai fiksim për të ringjallur një të kaluar të lavdishme që ka sjellë qindra mijëra të vdekur në një luftë që menduam se i përkiste një të shkuare të errët të kontinentit tonë.
Dëshira për t’i bërë nder rinisë ruse është, pra, e kundërta: të mos ringjallet një kujtim i dhunës dhe abuzimit të së kaluarës, por përkundrazi të krijohet një identitet i ri, identiteti i një shteti kombëtar qytetar rus që respekton fqinjët si të barabartë.
Sepse drama e Rusisë dhe Evropës Lindore është pikërisht fakti se ky hedhja pas shpine e këtij identiteti rus nuk është realizuar kurrë. Është një pasazh që parashikon një disfatë si kusht të domosdoshëm, por jo të mjaftueshëm, qoftë ushtarak apo politik. Anglia, Franca, Gjermania naziste dhe të gjitha fuqitë e tjera perandorake evropiane nuk i dorëzuan vullnetarisht kolonitë e tyre për hir të të drejtave të njeriut dhe barazisë së popujve.
Ata e bënë këtë sepse humbën, qoftë kjo një disfatë ushtarake si ajo e Francës në Algjeri apo e Gjermanisë naziste në Evropën Lindore, apo një disfatë politike kolosale si ajo e Anglisë përballë fuqisë morale të Mahatma Gandhit në Indi.
Në Rusi, perandoria u shemb dhe Bashkimi Sovjetik u shpërbë, por mundësia nuk u shfrytëzua gjatë viteve kaotike 1990 për të braktisur imperializmin dhe për të krijuar një identitet të ri qytetar rus të përqendruar në bashkëpunimin dhe respektin për fqinjët.
Dëshira për t’iu drejtuar të rinjve rusë, ukrainas dhe të gjithë evropianëve është që në hirin e kësaj lufte të re perandorake, Rusia do të duhet të gjejë forcën dhe guximin për të ri-imagjinuar veten, duke i zhvendosur Katerinën dhe Pjetrin në një të kaluar diametralisht të kundërt me të ardhmen e saj.